Netanyahu: Izraeli do të vazhdojë me ofensivën në Gaza, duke përfshirë edhe në Rafah

Izraeli do të vazhdojë me ofensivën e tij kundër Hamasit, duke përfshirë qytetin jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje për të ndaluar. Kjo u bë e ditur të enjten nga kryeministri, Benjamin Netanyahu.
Netanyahu është zotuar të shkatërrojë Hamasin pasi luftëtarët e tij sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe rrëmbyer 253, sipas të dhënave izraelite.
Më shumë se 30,000 njerëz janë vrarë në Gaza gjatë ofensivës së mëvonshme të Izraelit, vlerësojnë autoritetet palestineze shëndetësore, duke shkaktuar kritika dhe dënime në mbarë botën.
“Ka pasur presion ndërkombëtar dhe ai është në rritje, por veçanërisht kur presioni ndërkombëtar rritet, ne duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të ndërprerë luftën,” tha ai.
Rreth 1.5 milion njerëz vlerësohet të kenë shkuar për t’u strehuar në Rafah, në kufi me Egjiptin, për t’i shpëtuar sulmeve ushtarake të Izraelit.
Netannahu tha gjithashtu se Izraeli duhet të reagojë ndaj përpjekjeve për ta fajësuar atë për krimet e Hamasit. Ai shtoi se Izraeli do të kryejë operacione ushtarake në të gjithë Gazën, “përfshirë Rafahun, bastionin e fundit të Hamasit”.
Ndërkohë Hamasi tha se delegacioni i tij ishte larguar nga Kajro të enjten ku negociatat e vazhdueshme për një marrëveshje armëpushimi në Gazë para fillimit të Ramazanit javën e ardhshme nuk kanë shënuar përparim. Të dyja palët që fajësojnë njëra-tjetrën.
Një zyrtar i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri tha se Izraeli kishte “sabotuar” përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi.
Abu Zuhri i tha agjencisë Reuters se Izraeli po refuzonte kërkesat e Hamasit për t’i dhënë fund ofensivës në enklavë, për të tërhequr forcat dhe për të siguruar futjen e ndihmave dhe kthimin e njerëzve të zhvendosur.
Izraeli ka thënë se synimi i tij është të shkatërrojë Hamasin dhe se çdo armëpushim duhet të jetë i përkohshëm, si edhe ka kërkuar gjithashtu një listë të pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gaza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




