“Netët e Klipit Shqiptar” rikthehet në Tiranë pas 7 vitesh, finalja e madhe në 20 maj
Festivali “Netët e Klipit Shqiptar” rikthehet këtë vit në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, duke shënuar edicionin e tij të 22-të.
Pas shtatë vitesh të mbajtura në Ulqin, ky event i rëndësishëm muzikor do të kthehet në zemër të Tiranës, duke sjellë një atmosferë të veçantë artistike dhe kulturore në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Rikthimi në Studion nr. 1 është një risi, me një studio të rinovuar totalisht. Në 2014-ën kemi bërë një revolucion ato kohë. Ky është një edicion që do të ketë shumë gjëra të veçanta edhe në trajtimin e rubrikave, sepse vetë Klipi ka evoluar qoftë në teknologji, qoftë në raportin e grafikës. Është një gjë që lëviz vazhdimisht,” tregon producenti dhe regjisori i festivalit, Petri Bozo.
Në fillim të muajit maj, RTSH do të nisë transmetimin e programeve të vogla të festivalit, të cilat do të shërbejnë si parapërgatitje dhe prezantim i artistëve dhe klipeve konkurruese.
Këto programe do të sjellin prapaskenat, intervista me artistët dhe pamje ekskluzive të festivalit “Netët e Klipit Shqiptar”.
“Është një festival, i cili përveç vlerave të artistit që prodhon videoklipin, promovon të gjithë pjesën e artistëve mbrapa kamerave. Juria e festivalit të Klipit edhe këtë vit përbëhet nga elementë shumë të njohur të botës së kinemasë, filmit dhe artit shqiptar. Tashmë është shtuar pjesa e grafikës, e stilistëve, sepse ka shumë dinamikë edhe në veshjet e këngëtarëve që performojnë në klipet e tyre,” thotë z. Bozo.
Finalja e madhe do të mbahet më 20 maj dhe pritet të jetë një event madhështor, me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës shqiptare, klipeve më të mira të vitit, performancave “live” dhe surprizave të shumta.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




