Nga ëndrra në realitet, studentët e rinj të mjekësisë veshin bluzat e bardha
Rrugëtimi nis me një bluzë të bardhë dhe vazhdon në shërbim të njerëzve dhe kujdesit ndaj tyre.
Studentët e tri degëve të mjekësisë, asaj të përgjithshme, farmacisë dhe shëndetit publik, që ulen për herë të parë në auditor, veshën bluzat e bardha si simbol i ëndrrës së bërë realitet.
Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila përcolli edhe një mesazh në këtë fillim viti të ri akademik.
“Sot jam në këtë pozicion, por nuk i harroj kurrë momentet kur kam filluar këtë rrugëtim, i cili është i gjatë, i bukur, i lodhshëm dhe shumë mundimshëm. Mos harroni kurrë se kjo rrugë, në fund, ju pajis me një diplomë, por mbi të gjitha ju pajis me një dashuri të madhe për njerëzit. Besoj se nuk ka mjek në këtë sallë që e kupton ndryshe këtë gjë. Ju do të bëheni profesionistë shumë të mirë, por nëse nuk keni brenda vetes humanizëm, nuk do të jeni kurrë mjekë të mirë”, u shpreh Klodiana Spahiu, ministre e Shëndetësisë.
Mirëseardhjen studentëve ua uroi edhe stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë.
“Në traditën hipokratike, mjekësia lidhet ngushtë me përgjegjësitë morale të atij që e ushtron. Dija merr vlerë përmes mënyrës se si përdoret, me kujdes, me maturi, me respekt për jetën dhe për dinjitetin njerëzor. Ky është një angazhim që për ju do të mbetet i rëndësishëm në çdo kohë, sado të përparojë shkenca dhe teknologjia”, tha Xhelatin Draçini, rektor i Universitetit të Mjekësisë.
“Mos lejoni që lodhja t’ju marrë ëndrrën. Mos lejoni që një dështim t’ju bindë se nuk jeni të aftë. Mos lejoni që frika t’ju bëjë të harroni arsyen pse e nisët. Dhe kur të ndiheni të lodhur, kujtoni këtë ditë. Kujtoni këtë bluzë të bardhë. Kujtoni emocionet e familjarëve tuaj. Kujtoni se një ditë përballë jush do të jetë dikush që do të ketë nevojë më tepër se kurrë për dijen tuaj”, tha Margarita Gjata, dekane e Fakultetit të Mjekësisë.
Rudina Degjoni, drejtoreshë e përgjithshme e QSUT-së, përshëndeti gjithashtu studentët në këtë ceremoni.
Për studenten ekselente Ingrid Haxhiaj, e para në listën e fituesve, kjo ditë vjen si fryt i punës së vazhdueshme dhe përkushtimit.
“Kemi tashmë një shërbim të ri, një spital të ri të kardiokirurgjisë dhe një sallë moderne, e cila do të vihet plotësisht në dispozicionin tuaj. Praktika është elementi më i rëndësishëm i formimit profesional, sepse është ajo që ju formëson, ju zhvillon dhe ju ndihmon të rriteni si profesionistë”, tha Ingrid Haxhiaj, studente e Mjekësisë së Përgjithshme.
Për këta studentë, ky është fillimi i rrugës drejt formësimit të së ardhmes, jo vetëm profesionale, por edhe humane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




