Ekzekutimi i Selami Hasanit, nëndrejtori i Policisë Fier: Viktima ishte duke punuar jashtë shtëpisë kur u qëllua për vdekje
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alket Ahmetaj, ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në lagjen “1 Maji”, ku ka mbetur i vrarë Selami Hasani, ndërsa është plagosur nipi i tij.
Sipas Ahmetajt, njoftimi për të shtënat është marrë rreth orës 09:50 në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë nisur forcat “Shqiponja”, të cilat kanë konstatuar viktimën dhe personin e plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të banesës së viktimës, i cili në momentin e të shtënave ka qenë duke punuar. I plagosuri është nipi i tij dhe aktualisht po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.
“Rreth orës 09:50 në sallën operative të DVPF ka ardhur një telefonat për krisma armësh në lagjen “1 maji”, Fier. Me marrjen e njoftimit, Forcat Shqiponja janë nisur drejtë vendngjarjes ku kanë konstatuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka ndërruar jetë një shtetas si dhe është plagosur një shtetas tjetër. Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të banesës të viktimës i cili ka qenë duke punuar dhe në vend është plagosur dhe nipi i tij i cili aktualisht është duke marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal të Fierit. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po kryejnë të gjitha kontrollet me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe zbulimin e autorit të kësaj vepre penale’, u shpreh Ahmetaj.
Policia është vënë në ndjekje të autorit dhe po kryen kontrolle për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i malit”, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Fier, më 25 mars 2002.
Asokohe, në tregun e kambistëve në qytet u vranë Julian Isufaj, i afërm i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambisti Esat Tare. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja ishte kryer në bashkëpunim me persona të tjerë dhe lidhej me një konflikt të hershëm mes familjeve dhe grupeve në Fier.
Pas rreth shtatë vitesh në kërkim, Hasani u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe dy pistoleta. Pavarësisht dënimit me 25 vite burg, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021, pasi kishte vuajtur rreth 11 vite heqje lirie.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




