Nga ferma në tavolinë tek ajo blegtorale e Këlcyrës ofrohen më shumë siguri për konsumatorin

Bujqësi | 30 minuta më parë

Në fermat blegtorale të Këlcyrës, tradita po ndërthuret gjithnjë e më shumë me teknologjinë bashkëkohore. Kujdesi për bagëtitë, ushqimi i kontrolluar dhe përzgjedhja e racave kanë sjellë rezultate të dukshme në rritjen e prodhimit të qumështit.

Për fermerët, puna nis çdo ditë në stallë. Kushtet e mbajtjes, ushqyerja dhe kujdesi gjatë periudhës së pjelljes janë disa prej elementeve që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e kafshëve dhe në cilësinë e prodhimit.

“Ne kemi nisur diku me 300 krerë, ndërsa sot jemi më shumë se 800. Delet që ju shikoni janë racë franceze e kryqëzuar me racën vendase. Jo se nuk na pëlqen, jo se nuk duam, por sepse raca vendase nuk ka sasinë dhe prodhimin e nevojshëm”, u shpreh Fatjon Kasneci, përgjegjës.

Teknologjia po shtrihet në çdo hallkë të zinxhirit. Pajisjet moderne të mjeljes, kontrolli i parametrave të qumështit dhe proceset e standardizuara të përpunimit në baxho synojnë të garantojnë një produkt të sigurt dhe cilësor për konsumatorin.

“Ne i prodhojmë produktet tona me një cikël të mbyllur, domethënë vetëm me qumështin e fermës sonë, i cili vjen direkt nga ferma në punishten tonë. Kryesisht prodhojmë produkte artizanale të vendit, si djathë të bardhë, djathë kaçkavall, gjizë, gjalpë dhe salcë. Puna fillon, si çdo ditë, me përkujdesjen dhe, në radhë të parë, me qumështin. Për të kujdesen direkt në fermë dhe, sapo vjen në punishten tonë, maten të gjitha cilësitë e qumështit”, tha drejtuesi teknik, Spartak Demiri.

Në Këlcyrë, puna e përditshme e fermerit po mbështetet gjithnjë e më shumë nga teknikat moderne të mbarështimit dhe përpunimit. Nga kujdesi për bagëtitë dhe pjelljet, te higjiena, teknologjia dhe kontrolli i cilësisë, synimi mbetet i njëjtë më shumë prodhim, qumësht cilësor dhe një produkt i sigurt që shkon nga ferma në tryezën e konsumatorit.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme