Nga fluturimi mbi centralin bërthamor te sekuestroja e pasurive, milioneri shqiptar Ermal Beqiri mbetet në paraburgim në Francë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Biznesmeni dhe eksperti shqiptar i teknologjisë së informacionit, Ermal Beqiri, do të vazhdojë të qëndrojë në burgun e Beauvais në Francë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Amiens për refuzimin e kërkesës së tij për lirim nga paraburgimi. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta online Paris Normandie.

Beqiri, 44 vjeç, u arrestua fillimisht më 25 korrik në aeroportin Méaulte (Somme), pasi ishte duke pilotuar një avion të lehtë privat mbi zonën e ndaluar të centralit bërthamor Penly. Pas marrjes në pyetje dhe pranimit të fajësisë për shkeljen e hapësirës ajrore ushtarake/bërthamore, ai u dënua me një gjobë prej 7,000 eurosh. Megjithatë, ai nuk u lirua, pasi ndaj tij hyri në fuqi një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare.

I kërkuar nga Shqipëria për mashtrim të organizuar, dredhi dhe përfshirje në skandale korrupsioni me tenderat publikë në fushën e teknologjisë, Beqiri tanimë përballet me procedurat e ekstradimit drejt Tiranës.

Pasuritë e sekuestruara në Francë

Hetimet e përbashkëta mes SPAK-ut dhe drejtësisë franceze kanë vënë në shënjestër një pasuri të konsiderueshme të krijuar nga Beqiri në territorin francez, e dyshuar si me origjinë kriminale:

Château d’Auteuil, një kështjellë historike e blerë për rreth 2.6 milionë euro në Berneuil-en-Bray (në jug të Beauvais).

Llogari bankare, më shumë se 2 milionë euro të bllokuara në institucionet financiare franceze.

Asete të tjera, dy apartamente luksoze, një avion privat dhe mjete motorike të klasit të lartë.

Profil i biznesmenit dhe debati në gjykatë

Ermal Beqiri, i arsimuar në Francë që në moshën 16-vjeçare si inxhinier i sistemit të informacionit, zhvilloi aktivitetin e tij kryesor në Shqipëri përmes kompanisë Soft & Solution të blerë në vitin 2021, duke fituar kontrata me vlerë miliona euro nga tregu i IT-së publike.

Gjatë seancës për masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit në Amiens, avokati mbrojtës pretendioi se klienti i tij vuante nga një “ndalim i paligjshëm” dhe se i ishte posërisht vënë në dispozicion autoriteteve franceze kur mësoi për kërkimin nga SPAK-u. Nga ana tjetër, prokuroria franceze këmbënguli në mbajtjen e tij në burg, duke argumentuar se burimet e mëdha financiare dhe licenca e pilotit përbëjnë rrezik të lartë largimi.

Në fjalën e tij përpara trupit gjykues, Beqiri deklaroi:

“Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Po, lëviz shumë. Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën. Edhe nëse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as më të mirin për taksat.”

Gjykata vendosi ta mbajë atë në qeli deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës zyrtare të Shqipërisë për ekstradim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme