Nga sfidat tek ëndrra, Emilia nis studimet e larta për kanto

Arsim | 49 minuta më parë

Për shumë studentë, 5 tetori është thjesht dita e parë e universitetit. Për Emilinë është dita kur një ëndërr nis të marrë formë. (Plane efekte).

E diagnostikuar me spektrin e autizmit që e vogël, ajo i drejtohet auditorëve sot me një triumf ndryshe. Performanca e saj në konkurs la pas studentë të tjerë normalë.

“Në fillim kisha shumë emocione, por kur dola aty u çlirova pastaj. Performova katër pjesë në konkurs. Në fund isha në lot nga lumturia dhe mami im e pa. Kur më thanë se e fitova konkursin, fluturova nga gëzimi dhe përqafova shumë njerëz.”

Dashuria për muzikën i është kultivuar herët, që në fëmijëri. Zgjodhi të ndjekë shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës, ku patjetër u përball me sfida që sjell çdo rrugëtim artistik.

“E mbaj mend. Matematika më është dukur më e vështira. Pak vështirësi kam pasur edhe në lëndën e solfezhit, në harmoni dhe në analizën e veprës. Këto kanë qenë disa nga lëndët më sfiduese për mua.”

Historia e 18-vjeçares është ajo e një vajze që ka gjetur te muzika hapësirën ku mund të shprehet, të sfidojë veten dhe të ëndërrojë pa kufij.

Emilisë i pëlqen herë pas here të luajë edhe në piano, por ëndrra e saj është që pas studimeve të ngjitet në skenat e mëdha të botës.

Muzika për Emilinë nuk është thjesht një pasion, është mënyra përmes së cilës ajo komunikon.

Sot ajo është në fillim të një rruge të re. Një rruge që këtë herë nuk e imagjinon vetëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme