Nikolla Qafoku zgjidhet anëtar i Washington State Academy of Sciences, Akademia e Shkencave: Mbështetës i reformimit të veprimtarisë sonë shkencore

Nikolla (Niko) Qafoku është zgjedhur anëtar i Washington State Academy of Sciences (WSAS), një nga akademitë më prestigjioze shkencore në Shtetet e Bashkuara.
Ky nderim i ri ndërkombëtar vjen si njohje për kontributet e tij të rëndësishme në shkencat e mjedisit, veçanërisht në fushat e mbrojtjes së tokës dhe ujërave, rehabilitimit të zonave të ndotura, bujqësisë së qëndrueshme dhe proceseve të dekarbonizimit.
Qafoku është një nga vetëm pesë studiuesit e Pacific Northwest National Laboratory (PNNL) që u zgjodhën këtë vit në WSAS.
Kërkimet e prof. Qafokut fokusohen kryesisht në transportin dhe sjelljen afatgjatë të elementeve radioaktive dhe metaleve të rënda në tokë e ujërat nëntokësore. Rezultatet e punës së tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e strategjive të rehabilitimit mjedisor, vlerësimit të riskut dhe mbrojtjes së burimeve ujore.
Aktualisht, prof. dr. Nikolla Qafoku mban pozitën e Laboratory Fellow në PNNL, është profesor i asociuar në University of Washington, pedagog i jashtëm në Washington State University dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka cilësuar zgjedhjen si një vlerësim të lartë për kontributin shkencor të Qafokut, duke theksuar se ai ka qenë një mbështetës aktiv i reformimit dhe ndërkombëtarizimit të veprimtarisë shkencore shqiptare. Ai ka marrë pjesë në shumë iniciativa të përbashkëta me Akademinë dhe rrjetin Alb-Shkenca.
Për më tepër, prof. Qafoku kontribuon si anëtar i Bordit Editorial të revistës Albanian Journal of Natural and Technical Sciences (AJNTS) dhe si Kryeredaktor i Seksionit të Shkencave të Mjedisit.
Në këtë kuadër, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka miratuar propozimin për ta zgjedhur atë si Anëtar të Jashtëm të Akademisë, procedurë që pritet të finalizohet së shpejti.
Sipas Akademisë së Shkencave, kjo arritje e prof. Nikolla Qafokut përfaqëson një sukses të rëndësishëm jo vetëm për karrierën e tij personale, por edhe për imazhin e shkencës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





