Nis korrja e grurit. Në Lunxhëri, sipërfaqet më të mëdha janë mbjellë me grurë, tërshërë dhe elb
Jemi në kulmin e sezonit të korrjes së drithërave dhe në fushat e zonës së Lunxhërisë puna nuk njeh pushim.
Pas muajsh kujdesi dhe pune të palodhur, fermerët kanë nisur të mbledhin frytet e mundit të tyre. Ky është një nga momentet më të rëndësishme për ekonominë bujqësore në këtë zonë.
“Ka filluar sezoni i korrjeve të drithërave, tërshërës, grurit, elbit… Jo në masë, sepse për shkak të kohës janë shumë të buta. Ka filluar edhe sezoni i vaditjes së misrit. Në mëngjes meqë është freskët dhe ditën është vapë, merremi me atë punë,” shprehet një fermer.
Megjithatë, vetë fermerët shprehen se vitet e fundit sipërfaqet e mbjella janë ulur ndjeshëm në këtë zonë.
“Të mbjellat në këtë zonë kanë qenë shumë më shumë para 10 vjetësh. Mund të kishte 60 deri 100 hektarë të mbjella. Këto vitet e fundit janë reduktuar në maksimum. Sivjet mund të jenë rreth 30 hektarë, jo më shumë. Nuk mbjell njeri. E vetmja kulturë që mbjellin është tërshëra, sepse shumica e zonës këtu kanë bagëti,” shpjegon fermeri.
Korrja e drithërave nuk është thjesht një proces bujqësor. Është një moment i rëndësishëm që përmbledh gjithë përpjekjen e muajve të gjatë.
Për fermerët, ky është çasti kur puna përkthehet në prodhim, dhe shpresa në të ardhura.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




