Nis sot regjistrimi në universitete. Hapat që duhet të ndiqni, 20.200 aplikantë në garë për studimet e larta

Arsim | 1 vit më parë

Universitetet publike në mbarë vendin kanë shpallur sot (29 gusht) listën e kandidatëve fitues të raundit të parë për pranimin në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2025–2026.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka publikuar të gjithë hapat që duhet të ndjekin kandidatët për t’u regjistruar në një nga degët ku janë shpallur fitues.

20 mijë e 200 maturantët aplikantë të këtij viti garojnë për rreth 30.000 kuota në total. Rezultatet janë publikuar edhe nga uebsajtet e secilit prej universiteteve përkatëse për të gjitha programet e studimit që ata ofrojnë.

Fillimisht, të rinjtë duhet të identifikohen te Këndi i Maturantit në U-Albania duke përdorur numrin ID të maturës, për të kontrolluar në kohë reale pikët e grumbulluara dhe rezultatin nëse janë fitues apo jo.

Degët fituese do të jenë të shënuara me ngjyrë jeshile, ndërsa me ngjyrë të verdhë do të jenë të shënuara degët ku shpallen fituesit e fazës së ardhshme.

Për t’u regjistruar në degën fituese, duhet që studenti të paraqitet në Sekretarinë e Fakultetit me këto dokumente të nevojshme:

  • Dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja;
  • Diploma e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave;
  • Deklarata (jepet nga sekretaria) e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjësit të sekretarisë mësimore të institucionit të arsimit të lartë përkatës dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësi i sekretarisë;
  • Fotografi për dokument.

Afati për t’u regjistruar është 48 orë. Në rast mosregjistrimi brenda këtij afati, humbet e drejta për t’u regjistruar në këtë fazë.

Raundi i parë përfshin shtatë faza 48-orëshe, ndërsa kandidatët për studentë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë lëvizjen e vijës së kuqe apo pragun e pranimit në fakultete pas fazës së parë të regjistrimeve, për të vijuar hap pas hapi me fazat e tjera.

Ky vit ka shënuar një numër më të lartë të aplikimeve në institucionet e arsimit të lartë. Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, deklaron se 60 për qind e tyre i janë drejtuar Universitetit të Tiranës.

Gazetare: j.sh. / Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme