Nisi plotësimi i Formularit A1 – Maturantët përzgjedhin lëndët që do të japin në provimin e maturës
Nisi këtë të hënë aplikimi për plotësimin e formularit A1 për të gjithë maturantët që kërkojnë të garojnë për të vijuar studimet e larta në universitete publike dhe private në vend. Dëshira e Gert Çitozit, maturant i shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, është mjekësia, ndaj dhe pa hezitim përzgjodhi biologjinë si lëndë për provimin e Maturës Shtetërore.
“Kemi plotësuar formularin A1 dhe mu duk shumë i thjeshtë përveç ngadalësimit të e-Albania të tjerat ishin shumë të thjeshta”, u shpreh ai.
Mbikëqyrësja e Maturës Shtetërore në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, Ilda Paloka, sqaron se aplikimi ka nisur që në orën 08:00 dhe se shumë prej të rinjve kanë preferuar ta kryejnë atë në ambientet e shkollës, me asistencën e mësuesve.
“Procesi i aplikimit të formularit A1 ka shkuar shumë mirë deri tani dhe kam përshtypjen se rreth 80 % e nxënësve kanë aplikuar”, tha ajo.
Ndërsa koordinatorja për karrierën në këtë shkollë, Erideta Imeraj, thotë se maturantët janë informuar për lëndët që duhet të përzgjedhin, pasi janë njohur më herët me kriteret e universiteteve ku synojnë të vazhdojnë studimet.
“Ne kemi kaluar gjatë të gjithë muajit janar takime klasë më klasë dhe përveç kësaj kemi pasur edhe takime individuale me nxënësit. Sa më i informuar të jetë një maturant aq më të pjekur do ta bëj ai zgjedhjen”, u shpreh Imeraj.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka kërkuar maturantëve të mos nxitojnë në marrjen e një vendimi, por ta mendojnë me kujdes zgjedhjen e tyre.
“Këtë vendim të rëndësishëm mendojeni mirë, këshillohuni me mësuesit tuaj por edhe me prindërit sepse kjo do të përcaktoj studimet e mëtejshme”, tha Kumbaro.
Pas plotësimit të formularëve A1 dhe A1Z dhe mbylljes së konsultimeve në qershor, do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore, për t’i lënë më pas vendin aplikimit për universitet.
Gazetare: K. Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





