“Nuk mund t’i kërkohet llogari Kurtit për Specialen”, Kulluri: Ndryshimi i ligjit do të komplikonte edhe Kushtetutën
Analisti Edvin Kulluri vlerëson se si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë po krijohet një klimë e rrezikshme politike, të cilën ai e cilëson si prag të papërgjegjshmërisë së elitave politike.
Në një intervistë për emisionin “3D” me Alban Dudushin, Kulluri tha se situata në të dyja anët e kufirit reflekton një krizë të demokracisë, pavarësisht se institucionet vazhdojnë të funksionojnë.
“Në të gjithë hapësirën shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, jemi në pragun e papërgjegjshmërisë së elitave, sepse nga të dy anët e kufirit kemi njerëz nëpër rrugë. Nuk ka kolaps institucional, por ka krizë demokracie për arsye konkrete.”
Duke komentuar debatin për Gjykatën Speciale, Kulluri e cilësoi hipokrizi që forcat politike të kërkojnë ndryshime pasi e kanë miratuar vetë ngritjen e saj.
“Për mua, çështja e dënimit të udhëheqësve të UÇK-së është një hipokrizi e madhe në shoqërinë dhe politikën e Kosovës. E kanë votuar vetë dhe tani duan ta ndryshojnë ligjin. Albin Kurti ka qenë ai që ka thënë të mos votohet. Është si puna jonë me SPAK-un, që e votuan vetë dhe tani thonë ta shkrijnë. Kjo është një marrëzi.”
Sipas analistit, kostot e këtyre përplasjeve politike i paguajnë qytetarët, të cilët shpesh përdoren për interesa politike.
“Ata që e vuajnë këtë janë qytetarët, të cilët manipulohen për interesat e politikanëve.”
Kulluri theksoi se procesi i Gjykatës Speciale nuk lidhet vetëm me politikën e brendshme të Kosovës, por edhe me angazhimin e faktorëve ndërkombëtarë për hetimin e pretendimeve që lidhen me periudhën e luftës.
“Ka pasur një vullnet ndërkombëtar për t’i hetuar këto akuza dhe për t’i gjykuar ato. Nuk mund t’i kërkosh llogari Albin Kurtit për këtë.”
Ai shtoi se çdo përpjekje për të ndryshuar kuadrin ligjor të Gjykatës Speciale do të krijonte komplikime të reja institucionale dhe kushtetuese.
“Nëse ndryshohet ligji, atëherë shtrohet pyetja nëse duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta. Pra, situata bëhet edhe më e komplikuar.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



