OKB: Izraeli ka shkelur në mënyrë të përsëritur ligjet e luftës

Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka bërë të ditur se forcat izraelite mund të kenë shkelur në mënyrë të përsëritur ligjet e luftës dhe nuk kanë arritur të bëjnë dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve në konfliktin e Gazës.
“Kërkesa për të zgjedhur mjetet dhe metodat e luftës që shmangin ose të paktën minimizojnë në çdo masë dëmin civil duket se është shkelur vazhdimisht në fushatën e bombardimeve të Izraelit”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk.
Misioni i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë e karakterizoi analizën si “me të meta faktikisht, ligjërisht dhe metodologjikisht”.
Në një takim të veçantë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, kreu i një Komisioni Hetimor të OKB-së, Navi Pillay, tha se autorët e abuzimeve në konflikt duhet të sillen para përgjegjësisë.
Ajo përsëriti gjetjet nga një raport i publikuar javën e kaluar se si militantët e Hamasit ashtu edhe Izraeli kanë kryer krime lufte, por tha se vetëm Izraeli ishte përgjegjës për abuzimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar të njohura si “krime kundër njerëzimit”. Ajo tha se shkalla e humbjeve të civilëve palestinezë arriti në “shfarosje”.
“Ne zbuluam se numri i madh i viktimave civile në Gaza dhe shkatërrimi i gjerë i objekteve dhe infrastrukturës civile ishin rezultat i pashmangshëm i një strategjie të qëllimshme për të shkaktuar dëme maksimale” tha Pillay, ish-shefe e të drejtave të OKB-së dhe gjykatëse e Afrikës së Jugut, në takim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




