Ora që ndaloi me mbytjen e Titanikut shitet për 1 milion paund

Kuriozitete | 11 muaj më parë

Një orë xhepi prej ari 18 karatësh, që i përkiste njërit prej pasagjerëve më të pasur të anijes Titanik, Isidor Straus, pritet të shitet për 1 milion paund në një ankand të veçantë në Britani.

Straus, bashkëpronar i dyqanit të famshëm Macy’s në Nju Jork, humbi jetën së bashku me bashkëshorten e tij, Ida, kur Titaniku u mbyt më 14 prill 1912, pas përplasjes me një ajsberg gjatë udhëtimit nga Southampton drejt Nju Jorkut.

Trupi i tij u gjet disa ditë pas tragjedisë dhe midis sendeve personale u zbulua ora e markës Jules Jurgensen, e ndalur në orën 02:20, momenti kur anija u zhduk nën dallgët e Atlantikut.

Ora, e cila besohet të ketë qenë dhuratë nga Ida në vitin 1888 dhe mban inicialet e Straus, është ruajtur me kujdes nga familja e tij brez pas brezi.

Objekti do të shitet në ankand më 22 nëntor nga shtëpia Henry Aldridge & Son në Wiltshire, e njohur për shitjet e relikeve historike të Titanikut.

Bashkë me orën do të ofrohet edhe një letër e rrallë që Ida Straus shkroi gjatë udhëtimit, ku përshkruan luksin e anijes:

“Çfarë anijeje! Kaq e madhe dhe e mobiluar në mënyrë madhështore. Dhomat tona janë të mobiluara me shijen më të mirë dhe më luksoze.”

Letra, me vulë postare “TransAtlantic 7”, pritet të arrijë vlerën 150,000 £, ndërsa ora mund të bëhet një nga sendet më të vlefshme të Titanikut të shitura ndonjëherë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme