Orban: Do bëjmë marrëveshje për mbrojtjen me Suedinë, pastaj firmosim anëtarësimin e saj në NATO

Hungaria do të nënshkruajë një marrëveshje për industrinë e mbrojtjes me Suedinë. Kjo u bë e ditur nga kryeministri hungarez Viktor Orban përpara një takimi me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në Budapest këtë të premte (23 shkurt), ndërsa Hungaria përgatitet të ratifikojë përfundimisht kërkesën e Suedisë në NATO.
“Ne do të mbyllim të gjitha çështjet në pritje dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje për industrinë e mbrojtjes, një marrëveshje serioze duke marrë parasysh madhësinë e Hungarisë dhe gjithashtu do të përcaktojmë disa vendime ose qëllime për bashkëpunimin ushtarak,” tha Orban, i cili nuk dha detaje të tjera lidhur me marrëveshjet që parashikon të nënshkruajë me Suedinë.
Dy kryeministrat zhvillojnë sot takimin, përpara se parlamenti i Hungarisë të miratojë kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO me një votim në 26 shkurt.
“Të hënën parlamenti hungarez do të vendosë vulën përfundimtare”, tha Orban.
Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n gati dy vjet më parë pas agresionit rus mbi Ukrainën. Hungaria është i vetmi anëtar i NATO-s që ende nuk e ka ratifikuar pranimin e vendit nordik, me arsyetimin se “Suedia kritikon Hungarinë lidhur me standardet e sundimit të ligjit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




