Organizata japoneze “Nihon Hidankyo” fiton Çmimin Nobel për Paqen 2024

Organizata japoneze “Nihon Hidankyo”, grupi i të mbijetuarve nga bombat atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, ka fituar Çmimin Nobel për Paqen 2024 “për përpjekjet për të pasur një botë pa armë bërthamore dhe për demonstrimin përmes dëshmive se armët bërthamore nuk duhet të përdoren më kurrë“.
Çmimi u shpall në Institutin Norvegjez Nobel në Oslo.
Komiteti i Nobelit tha se donte “të nderojë të gjithë të mbijetuarit e bombave atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, të cilët përmes vuajtjeve fizike dhe kujtimeve të dhimbshme, kanë zgjedhur të përdorin përvojën e tyre të çmuar për të kultivuar shpresën dhe aganzhimin për paqe. Ata na ndihmojnë të përshkruajmë të papërshkruajtshmen, të mendojmë të pamendueshmen dhe të kuptojmë disi dhimbjen e pazbërthyeshme dhe vuajtjen që shkaktojnë armët bërthamore.“
Komiteti shtoi se përpjekjet e “Nihon Hindankyo” “kanë kontribuar shumë në kthimin në tabu të nismave bërthamore. Në këtë moment historik për njerëzimin, ia vlen të kujtojmë se çfarë janë armët bërthamore: armët më shkatërruese që bota ka parë ndonjëherë.“
Narges Mohamadi, një avokate iraniane për të drejtat e grave që qëndron e burgosur, fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023 për luftën e saj të guximshme kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e pamëshirshme për reformën sociale.
Çmimi i Paqes është i vetmi Nobel që jepet në kryeqytetin norvegjez, pasi të tjerët shpallen në Stokholm.
Gjithsej, 286 kandidatë, 197 individë dhe 89 organizata, dihet se janë nominuar këtë vit. Komiteti Norvegjez i Nobelit i mban të fshehtë emrat e kandidatëve për 50 vjet, por ata që kanë të drejtë të nominojnë mund të zbulojnë se kë kanë propozuar.
Çmimi mbart një vlerë prej 1.1 milionë dollarë nga një trashëgimi e lënë nga krijuesi i çmimit, shpikësi suedez Alfred Nobel. Krahas çmimit në para, fituesit do të pajisen me një medalje më 10 dhjetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




