Panairi i Punës dhe Karrierës, në Shkodër dhjetëra biznese dhe institucione me oferta konkrete

Arsim | 5 muaj më parë

Holli i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Shkodrës u kthye në një hapësirë takimesh dhe mundësish për të rinjtë, në kuadër të Panairit të Punës dhe Karrierës.

Dhjetëra biznese, institucione publike dhe organizata vendore prezantuan ofertat e tyre për punësim, praktika profesionale dhe trajnime, duke u dhënë studentëve mundësinë të njihen nga afër me kërkesat reale të tregut të punës.

“Këtu ne nuk kemi panair, kemi tregun. U dhanë shumë mundësi të reja si grante, që dha bashkia, karta studentit është një inovacion”, tha Eriseldi Vrinaj, student.

“Unë aktualisht jam edhe e punësuar, pavarësisht kësaj unë e shoh si një mundësi të mirë por në të njëjtën kohë edhe për të kuptuar apo për të bërë ndërlidhje edhe me bizneset e tjera”, tha Denisa Bajraktari, studente.

Drejtuesit e universitetit u shprehën se ky panair që organizohet për të dytin vit radhazi është një hap konkret drejt përgatitjes së studentëve për sfidat e tregut.

“Sot në këtë panair janë paraqitur 52 subjekte private dhe shtetërore. Kërkesa që është bërë, që kanë aplikuar studentë për të marrë pjesë është 1200 studentë”, tha Kleida Tufi, Drejtuese për Marrëdhëniet me Studentët dhe Publikun, UNISHK.

“Për studentët është një mundësi e shkëlqyer të kenë një panoramë të qartë të kësaj gjeografie të bizneseve në qarkun e Shkodrës dhe fuqia e një institucioni akademik, e një institucioni të arsimit të lartë siç është universiteti”, theksoi rektori, Tonin Gjuraj.

Universiteti i Shkodrës mbetet institucioni kryesore i arsimit të lartë në veri të vendit, me disa degë që ofrojnë mundësi punësimi në tregun vendas. Programet e Infermierisë, Informatikës dhe degët e Fakultetit Ekonomik, po tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me kërkesat e tregut, veçanërisht në sektorin privat dhe atë të teknologjisë.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme