Parandalimi i problematikave nga reshjet, në Gjirokastër po pastrohen kanalet kulluese dhe pusetat, forcohen pritat malore

Sociale | 32 minuta më parë

Për t’i paraprirë sezonit të dimrit dhe periudhës së reshjeve, Bashkia e Gjirokastrës ka ndërmarrë një sërë ndërhyrjesh në zonat ku gjatë vitit të kaluar janë evidentuar problematika.

Pastrimi i kanaleve të rrjetit kullues, ndërhyrjet në pritat malore, si dhe pastrimi i pusetave, janë pjesë e punës së kryer për të përmirësuar kullimin e ujërave dhe për të shmangur përmbytjet apo dëmtimet që mund të shkaktohen nga reshjet intensive.

“Janë identifikuar të gjitha pikat e mundshme të krijimit të situatave të emergjencës dhe është punuar prej muajit prill me intensitet të madh. Ka filluar pastrimi i kanaleve të rrjetit kullues, ndërhyrjet në përrenjtë malor dhe në pritat malore. Gjithashtu Drejtoria e Shërbimeve publike ka filluar pastrimin e pusetave në mënyrë që shirat e para të këtij sezoni ato t’i gjejnë të pastra dhe të mos kemi fenomenin e bllokimit nga ujërat”, tha Spiro Diamanti, përgjegjës i emergjencave civile në Bashkinë Gjirokastër.

Ndërhyrjet, sipas Bashkisë së Gjirokastrës, do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me fokus zonat ku rreziku nga reshjet është më i lartë.

“Jemi duke iu afruar periudhës së dimrit dhe natyrisht të gjitha forcat edhe mjetet janë në gatishmëri të plotë për të përballuar edhe ndonjë situatë të mundshme që mund të krijohet. Situata është e monitoruar vazhdimisht”, theksoi Diamanti.

Puna synon që infrastruktura kulluese dhe masat mbrojtëse të jenë në gatishmëri për përballimin e reshjeve të dimrit.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme