“Pas mësimit, shkolla vijon”/ Nga 1 tetori, 408 institucione arsimore hapin programin pas-shkollor

Arsim | 4 orë më parë

Aplikimi për programin pas-shkollor, i cili do të zbatohet këtë vit në 408 shkolla në të gjithë vendin, është përmbyllur të premten e kësaj jave. Zv. Ministrja e Arsimit, Herida Duro, në një intervistë për RTSH, sqaron se kërkesat kanë qenë të shumta dhe se prindërit, nëpërmjet platformës SMIP, kanë përzgjedhur bërjen e detyrave të shtëpisë, por edhe klubin që i përshtatet interesave apo talentit të fëmijës.

“Prindërit e sistemit fillor mund të zgjedhin klubin BDSH, të bëjnë detyrat e shtëpisë, por dhe një klub të arteve dhe zejeve. Midis artit pamor, teatrit, kërcimit, zejeve apo muzikës, ata janë të lirë të zgjedhin, natyrisht në bazë të interesit të fëmijës apo prirjeve që kanë fëmijët e tyre, dhe sistemi, në mënyrë automatike, i sistemon në grupe dhe në klasa”, tha ajo.

Nëndrejtoresha e shkollës “Emin Duraku” sqaron se rezultojnë mbi 800 kërkesa për regjistrimin e nxënësve të ciklit fillor dhe nëntëvjeçar në klube të caktuara.

“Normalisht, ne kemi një fashë orare deri në orën 14:00 për nxënësit e arsimit fillor dhe deri në orën 15:00 për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët. Teatri dhe kërcimi kanë pasur shumë interes. Si duket, nxënësit kanë dëshirë të shikojnë një model ndryshe. Domethënë, ku ka më bukur se, pas orëve të gjata të matematikës dhe gjuhës, të marrësh një artist të cilin e njeh shumë mirë dhe të të mësojë disa hapa, qoftë edhe të muzikës popullore, qoftë edhe të muzikës kontemporane”, tha ajo.

Zv. ministrja Herida Duro thotë se vijon të bëhet përzgjedhja e mësuesve që do të asistojnë fëmijët në programin pas-shkollor, që gjithçka të jetë gati më 1 tetor, kur edhe do të nisë ky program.

“Jemi në fazën kur të gjitha komisionet, në nivel shkolle, por edhe në nivel zyre vendore arsimore, po kryejnë procesin e verifikimit të dokumentacionit. Nevojat, do të thoja, nga aplikimet e deritanishme rezultojnë të jenë kryesisht në degën e kërcimit. Kështu që ne do të vijojmë me thirrje të tjera specifike për këto profile, për të cilat ne kemi edhe më shumë nevojë”, tha Duro.

Programi synon t’u ofrojë nxënësve më shumë mundësi për të mësuar, për t’u argëtuar dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre pas përfundimit të orarit mësimor.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme