Penguan qarkullimin gjatë protestave, procedohen penalisht 11 persona

Aktualitet | 4 muaj më parë

Policia shqiptare ka proceduar penalisht 11 persona për akuzën e “pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, pas tubimeve të zhvilluara në kryeqytet më 22 dhe 23 qershor.

Të dyshuarit, të moshave nga 26 deri në 55 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë. Ata akuzohen se kanë zhvendosur tubimin në zona të ndryshme nga ato të deklaruara zyrtarisht, duke bllokuar disa kryqëzime të rëndësishme në Tiranë.

Sipas policisë së Komisariatit Nr. 3, tubimi u zhvillua në këto pika: Kryqëzimi i rrugës “Urani Pano” me Bulevardin “Zogu I”, kryqëzimi i rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës, kryqëzimi i rrugës “Ibrahim Rugova” me Bulevardin “Gjergj Fishta”.

Policia shpjegon më tej se në këto akse me fluks të lartë trafiku, thuhet se është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.

Emrat e të proceduarve janë bërë publikë vetëm me iniciale: D.G., I.D., E.E., E.B., V.D., E.Z., Xh.P., B.K., D.B., Sh.B. dhe I.M.

Ndërkaq, materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë: Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor 2026, në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.

Konkretisht, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.

Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme