Përdorimi i ChatGPT, studentët ndihen komodë me përdorimin e aplikacionit
Përdorimi i ChatGPT në radhët e studentëve i ndan qëndrimet e tyre, në vektorë të kundërt. RTSH pyeti të rinj që ndjekin programe të ndryshme studimi, ku një pjesë prej tyre pohojnë se nuk e kanë të shkarkuar në celular këtë aplikacion.
“E përdor për më shumë se dy vite, pra që në momentin që është shkarkuar”, shprehet studenti.
“E kam shkarkuar kur kam hyrë në universitet” shprehet një tjetër.
“Jo nuk e kam të shkarkuar”, shprehet një tjetër.
“Po e kam të shkarkuar në adresën time personale. Në momentin që ja drejtoj pyetjet, i kërkoj dhe burimet e informacionit”, tregon një tjetër.
“Kam provuar ta përdor nga kurioziteti. Ka qenë libri “Njeriu Fëmijë” i Artan Fugës, të cilin e kam lexuar tre herë dhe bëra një provë me vetën duke e pyetur ChatGPT se për çfarë bëhej fjalë. Më tha se përmbajtja e këtij libri ka të bëjë me fëmijët, me jetën e tyre. Ndërsa libri është komplet ndryshe pasi libri flet për propagandën, për demokracinë. Pra flet për diçka tjetër nga çfarë më tha Chat-i. Në ato momente hoqa dorë”, tha studentja.
Studentët pranojnë se me përdorimin e inteligjencës artificiale, konkurrenca mes tyre ka kaluar në një tjetër nivel.
“Ndonjëherë na vjen keq pasi dalin ata më mirë. Po e pranojmë që kemi pasur raste që e kemi marrë detyrën nga ChatGPT.”, shprehen studentët.
Ndërveprimi me anë të një asistenti virtual, që zëvendëson një student mund të zhvillojë ose të rrezikojë aftësitë e tyre, por kjo varet nga mënyra e përdorimit të tij.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





