Përplasje gjatë protestës në Prishtinë, 12 të lënduar, mes tyre 6 efektivë dhe nipi i Hashim Thaçit. Shoqërohen 3 protestues

Protesta në Prishtinë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet kanë raportuar për lëndime në të dyja palët.
Sipas Policisë së Kosovës, gjashtë efektivë kanë pësuar lëndime të ndryshme gjatë ndërhyrjeve në terren. Po ashtu, gazetarja Albina Haliti ka bërë me dije për RTSH se mes të lënduarve ka qenë dhe nipi i ish-presidentit Hashim Thaçit i cili mbrëmjen e djeshme (5 tetor) është paraqitur në QKUK për të marrë ndihmën e nevoijshme mjekësore. Ndërkohë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 11 protestues.
Policia ka njoftuar gjithashtu se tre persona janë shoqëruar në komisariat për shkak të veprimeve gjatë protestës. Situata është tensionuar gjatë orëve të mbrëmjes, kur, sipas Policisë, një pjesë e protestuesve kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe sende të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Policia ka deklaruar se, pavarësisht thirrjeve për qetësi dhe zhvillim paqësor të protestës, hedhja e vazhdueshme e sendeve dhe bllokimi i lëvizjes e kanë detyruar të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Gjatë ndërhyrjes janë përdorur gaz lotsjellës dhe topi i ujit për shpërndarjen e turmës. Sipas Policisë, këto masa janë ndërmarrë edhe për të mundësuar largimin e personaliteteve nga hapësirat e Kuvendit.
Për shkak të situatës së krijuar, në periudha të ndryshme është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në disa prej rrugëve përreth qendrës së Prishtinës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Policia ka raportuar gjithashtu për dëme materiale të shkaktuara gjatë protestës. Sipas saj, përveç hedhjes së sendeve dhe mjeteve piroteknike drejt institucioneve, në disa raste janë djegur kontejnerë të mbeturinave dhe janë ndezur zjarre në rrugë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



