Petro Koçi: Reforma territoriale në vizion me praktikat evropiane

I ftuar në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH1, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka analizuar zhvillimet e fundit lidhur me reformën territoriale.
Duke vlerësuar peshën e këtij procesi krahasuar me ndryshimet e kaluara, Koçi e ka cilësuar reformën aktuale si një ndërhyrje dytësore, e cila u vu në qendër të vëmendjes kryesisht për shkak të kalendarit të zgjedhjeve.
“E para, unë mendoj që kjo nuk hyn tek ato reformat më të rëndësishme që kalohen në parlament. Është një reformë e pjesshme. Pra, krahasuar me reformën e 14-ës, kuptohet që kjo është minore apo është më e vogël. Dhe ndofta u potencua rëndësia e kësaj për shkak të afateve të shtrënguara kohore në raport me zgjedhjet, sepse duhej bërë patjetër përpara se Presidenti i Republikës të lëshojë dekretin e zgjedhjeve”, tha Koçi.
Sipas tij, ndryshimi i ndarjes territoriale duhet të ishte paraprirë nga një ligj i qartë për kompetencat dhe funksionimin e pushtetit vendor, i mbështetur te standardet më të mira evropiane.
“E dyta, mendoj që e udhës do të ishte, dhe ndofta kjo si reformë e pjesshme do të ishte më e mirëkuptuar, nëse më parë do të ishte bërë ligji që lidhet me organizimin, funksionimin dhe kompetencat e pushtetit vendor. Pra, ajo që synohet të ndryshohet po themi në të ardhmen, jo thjesht në raport me këtë ndarje territoriale, por ka lidhje me një vizion ndofta më të ndryshuar, duke parë edhe praktikat evropiane, të cilat sigurisht janë shumë më të konsoliduara. Kështu që, gjithsesi për shkak të zgjedhjeve ndofta është bërë ky lloj kapërcimi dhe u detyrua parlamenti të bënte më parë ndarjen territoriale”, theksoi ish-deputeti i PS-së.
Në lidhje me rrugën e ndjekur për miratimin e reformës, ai vuri në dukje mungesën e një debati gjithëpërfshirës me komunitetin dhe me vetë punonjësit e administratës vendore, të cilët u bënë bërthama e reagimit ndaj kësaj nisme:
“Pastaj vijmë tek, pra rruga që u ndoq. Mendoj që rruga që është ndjekur është komprometuar me thënë të drejtën. Pra duhet të ishte më demokratike, më e mirëkuptuar me interesat edhe debatet, diskutimet e komunitetit, por pse jo edhe të punonjësve që janë të atyre bashkive, të cilat sigurisht ata kanë qenë, po themi, motori kryesor i reagimit kundër kësaj reforme. Dhe çështja tjetër është pastaj pritshmëria e ngarkuar, ndofta edhe artificialisht, për të mos kapur numrat e duhur…”, deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



