Plan i ri për astronautët- Peshku i kultivuar, ushqimi i së ardhmes në Hënë dhe Mars

Peshku i kultivuar mund të bëhet një ndër burimet kryesore të ushqimit për astronautët në Hënë dhe Mars. Një eksperiment inovativ në një strukturë kërkimore në Palavas-le-Flot, në jug të Francës, po përgatit levrekë deti për një mision të pazakontë: të testojë mundësinë e shumimit të tyre në hapësirë.
Ky është thelbi i projektit Lunar Hatch, i zhvilluar nga Dr. Cyrille Przybyla, biolog detar në Institutin Kombëtar Francez të Kërkimeve Oqeanografike. Sipas tij, peshku është një burim ideal proteinash dhe vitaminash, duke qenë një nga ushqimet që tretet më lehtë nga organizmi i njeriut – një avantazh i madh për astronautët në mikrogravitet.
Si funksionon projekti?
Nga laboratori në Francë, 200 vezë të fekonduara të levrekut do të dërgohen në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), ku do të vëzhgohen fazat e zhvillimit të tyre. Një grup i dytë me po aq vezë do të mbetet në Tokë për krahasim. Plani afatgjatë është që peshqit të shumohen në Hënë, duke krijuar një cikël ushqimor të mbyllur.
Sistemi parashikon përdorimin e ujit nga akulli në krateret polare të Hënës për rezervuarët e peshqve. Mbeturinat organike do të shërbejnë për prodhimin e mikroalgave, të cilat do të ushqejnë organizma filtrues si gocat dhe midhjet. Ndërkohë, karkalecat dhe krimbat do të përthithin mbetjet e tjera dhe vetë do të shërbejnë si ushqim për peshqit – duke garantuar një sistem akuakulture të vetëqëndrueshëm dhe pa mbetje.
Llogaritjet tregojnë se për të ushqyer shtatë astronautë me dy vakte peshku në javë për 16 javë, do të nevojiten rreth 200 levrekë. Lunar Hatch ofron jo vetëm një zgjidhje për jetesën në hapësirë, por edhe një model që mund të përdoret në zona të izoluara në Tokë.
“Është një teknologji që ka funksionuar në Tokë për qëndrueshmëri mjedisore dhe ekonomike. Tani po e përshtasim për jetën në Hënë,” thekson Dr. Przybyla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





