Policia e Shtetit angazhoi mbi 900 punonjës për mbarëvajtjen e provimit të tretë të Maturës Shtetërore

Provimi i tretë i Maturës Shtetërore është përmbyllur pa probleme sa i përket rendit dhe sigurisë publike. Për garantimin e mbarëvajtjes së këtij procesi, Policia e Shtetit ka angazhuar një strukturë prej më shumë se 900 punonjësish policie në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga autoritetet e policisë, efektivët kanë ndjekur të gjitha fazat e procesit të administrimit të materialeve dhe ruajtjes së perimetrave të sigurisë në ambientet e përcaktuara për testimin.
Angazhimi i strukturave policore është shtrirë si përpara nisjes, ashtu edhe pas përfundimit të provimit. Në deklaratën e saj zyrtare, Policia e Shtetit specifikoi detyrat e kryera nga punonjësit e angazhuar:
“Punonjësit e Policisë u angazhuan për shoqërimin dhe ruajtjen e materialeve të provimit, garantimin e rendit dhe sigurisë në qendrat ku u zhvillua provimi, si dhe për shoqërimin e materialeve në destinacionin përkatës, pas përfundimit të provimit.”
Në mbyllje të komunikates, institucioni ka përcjellë edhe një mesazh institucional drejtuar nxënësve, ku shkruhet:
“Policia e Shtetit uron maturantët, suksese në provimin e radhës!”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.











