Praktika franceze në Korçë/Profesorë nga Liceu i Hotelerisë në Nisë, praktikë me nxënësit e shkollës profesionale

Arsim | 32 minuta më parë

Për dy ditë, nxënësit e Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë kanë zhvilluar praktikë profesionale në kuzhinë, nën drejtimin e shefit francez Rémy Lesage, nga Liceu i Hotelerisë në Nisë. Për nxënësit, kjo eksperiencë ka shërbyer si një mundësi për të pasuruar njohuritë praktike dhe për t’u njohur nga afër me mënyrën e punës së profesionistëve francezë.

“Kam dashur t’ua përcjell nxënësve njohuritë dhe përvojën time teknike, ndërsa edhe unë kam mësuar shumë prej tyre. I vlerësoj për seriozitetin, dëshirën për të mësuar dhe përkushtimin. Jam shumë i kënaqur edhe nga mikpritja në Shqipëri, një vend që më ka lënë mbresa shumë të mira”, u shpreh Remy Lesage, shef kuzhine.

Bashkëpunimi mes dy institucioneve synon shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për nxënësit.

“Është një shkëmbim që do të krijojë mundësi jo vetëm trajnim stafi, por do të ketë një trajnim të një praktikë reale të nxënësve në shkollën e Nisës në Francë”, tha Tatjana Mero, Drejtore e Shkollës Profesionale Shërbime, Korçë.

“Bashkëpunimi ka nisur dy vite më parë përmes një projekti të Ambasadës së Francës, me synim përmirësimin e formimit profesional sipas standardeve ndërkombëtare. Në tetor, rreth 10 nxënës do të udhëtojnë në Nisë për një trajnim njëjavor”, theksoi Philippe Villemagne, Drejtori i Liceut të Hotelerisë “Jeanne et Paul Augier”.

Bashkëpunimi 2-vjeçar mes dy shkollave, i mbështetur nga Ambasada Franceze në Shqipëri, do të vijojë edhe në të ardhmen, duke i dhënë nxënësve mundësi për më shumë praktikë profesionale, njohuri të reja dhe kontakte me modele bashkëkohore të formimit në fushën e hoteleri-turizmit.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme