Programi “Edukim fizik dhe sporte”, dalin datat për regjistrim dhe konkurs në Korçë
Aplikantët fitues të programit të studimit “Bachelor” në “Edukim fizik dhe sporte” në datën 14 gusht ora 9.00, do të zhvillojnë në mjediset e Qytezës së Fëmijëve testin praktik për këtë program studimi. Pjesëmarrësit në konkurs duhet të regjistrohen paraprakisht pranë Sekretarisë së Departamentit në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, nga data 5-11 gusht 2026, ora 09.00 – 13.00 ku duhet të dorëzojnë dokument identifikimi, një raport mjeko ligjor, mandat pagesën e tarifës së konkurrimit dhe dy fotografi.
“Në konkursin i cili do të zhvillohet në ambjentet e Qytezës së Fëmijëve, në datën 14 gusht, të gjithë kandidatët do të kryejnë dy teste praktike që janë kërcim së gjati nga vendi dhe cirkuit. Konkursi është i përbërë nga një cirkuit lëvizor, i cili përbën 50 pikë, dhe 10 pikë ato i marrin nga një test, që është një kërcim nga vendi. Pra, gjithsej 60 pikë”, tha Julian Shishi.
Cirkuitin në të gjithë formën ne e kemi dhe ua kemi të gjithë kursantëve për ta parë se si funksionon, duke pasur elementë të ndryshëm si vrapime, kërcime, kapërcime. Pra, ata janë të njohur me të dhe jemi në dijeni që po e punojnë që të dalin sa më mirë në këtë konkurs.
Më pas komisioni do të vlerësojë rezultatet e të gjithë kandidatëve duke renditur edhe ata fitues sipas kuotave që përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për këtë program studimi. Për këtë vit do të ketë 30 kuota pranimi në programin edukim fizik dhe sporte si dhe 5 kuota të veçanta.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





