Programi i gjuhës së shenjave, mundësi punësimi për të rinjtë

Ndodh shpesh që fëmijët që nuk dëgjojnë ndeshen me pamundësinë për t’u arsimuar.
Mungesa e interpretëve në shkollat profesionale bëhet shpesh pengesë për ndjekjen e ëndrrës apo profesionit të së ardhmes së tyre. Pikërisht për këtë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka hapur një program të posaçëm për përgatitjen e interpretëve, falë edhe ngritjes së laboratorit të Gjuhës së Shenjave brenda këtij institucioni të arsimit të lartë.
“Ky është një program i cili bazohet në vlerën e barazisë dhe të gjithëpërfshirjes. Ai bën që vetë studentët e ardhshëm, të cilët do të vijnë dhe që e kanë këtë aftësi ndryshe, të jenë ata aktivë në jetën shoqërore pas studimeve,” thotë Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Në program mund të aplikojnë jo vetëm studentë që kanë aftësi të kufizuara në dëgjim, por edhe ata që nuk janë me aftësi ndryshe, por që dëshirojnë të mësojnë Gjuhën e Shenjave për të ushtruar profesionin e interpretit në të ardhmen.
“Mendoj që ky program është shumë i rëndësishëm për të rinjtë shqiptarë, sepse duke u formuar me këtë program, ata mund të vazhdojnë në të ardhmen që të specializohen diku tjetër, pra, jo vetëm të bëhen mësues, përkthyes, por edhe të ndjekin një formim tjetër jashtë Fakultetit,” tregon Prof. Kromidha.
Nëpërmjet këtij laboratori, studentët do të kenë mundësi të mësojnë Gjuhën e Shenjave, duke i ardhur në ndihmë rreth 39 mijë personave që nuk dëgjojnë në vendin tonë, ku përfshihen edhe ata që e kanë fituar këtë paaftësi gjatë jetës.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





