Promovimi i jugut të Shqipërisë, Gjirokastra, destinacion i preferuar nga turistët e huaj

Aktualitet | 5 muaj më parë

Gjirokastra vijon të promovohet në shkrimet e mediave ndërkombëtare si një nga destinacionet më të veçanta për t’u vizituar në Shqipëri. Historia, kultura dhe natyra e saj vazhdojnë të sugjerohen për turistët e huaj si arsye kryesore për të zgjedhur këtë qytet.

Këtë pranverë, në qytetin e gurit janë ndalur kryesisht turistë italianë, gjermanë dhe spanjollë, të cilët po shijojnë jo vetëm mikpritjen dhe gatimet tradicionale, por edhe arkitekturën karakteristike dhe historinë e pasur që mbart ky qytet muze.

Vizitorët tërhiqen nga rrugicat me kalldrëm, shtëpitë karakteristike prej guri dhe monumentet historike, si Kalaja e Gjirokastrës, që mbeten ndër pikat më të vizituara.

Rritja e interesit nga turistët e huaj po reflektohet edhe në gjallërimin e jetës lokale, ku bizneset e vogla, bujtinat dhe restorantet tradicionale po përjetojnë një sezon më të zgjatur dhe më aktiv se vitet e mëparshme.

Por çfarë i tërheq më shumë vizitorët drejt Gjirokastër dhe si e përjetojnë ata këtë destinacion?

“Donim të bënim një udhëtim me makinë nëpër gjithë vendin dhe vendosëm që edhe ky ishte një vend i bukur për tu vizituar , tani po vizitojmë kalanë na pëlqen shumë. Na thanë që është kalaja e dytë më e madhe në Shqipëri.”

 “Përshtypja ime e parë është se më kujton shumë vendin tim, unë jam nga Ekuadori. Ka një përzierje të bukur të natyrës, fshatrave dhe njerëzve të bashkuar. Gjirokastra është shumë e madhe dhe më pëlqen shumë kontakti me natyrën dhe kalaja me pamjet e saj shumë të bukura.”

“Na thanë se është një qytet i bukur me shumë histori dhe monumente të rëndësishme, dhe na u duk shumë interesante, prandaj erdhëm këtu për të mësuar më shumë për historinë . Gjithashtu, e zgjodhëm këtë qytet sepse është pjesë e UNESCO-s dhe na pëlqejnë shumë peizazhet me male dhe natyra tipike shqiptare me shumë histori.”

“Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe jemi shumë të emocionuar për ta zbuluar këtë vend të mrekullueshëm. Është shumë ndryshe nga Italia apo Franca dhe është shumë interesante të shohësh kultura dhe këndvështrime të tjera.“

Shqipëria e Jugut, një rajon i njohur për historinë e pasur dhe vendet e saj të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO, po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik të nxitur nga rritja e shpejtë e sektorit te turizmit kulturor, sipas “Travel and Tour World” sipas mediave ndërkombëtare qytete si Berati, Gjirokastra, Saranda dhe Përmeti po zhvillohen falë investimeve strategjike që synojnë ruajtjen dhe promovimin e thesareve të tyre kulturore.

Gazetare: B. Pëllumbi  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme