Pushime në Sazan dhe Karaburun, turistët të mahnitur me bukuritë e gjireve
Në javën e parë të qershorit edhe Vlora ka nisur të presë fluksin e madh të turistëve vendas dhe të huaj. Ndër destinacionet më të preferuara nga gama që qyteti ofron, mbeten ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, të cilat çdo ditë vizitohen nga mijëra pushues. Me dhjetëra anije turistike, por edhe mjete më të vogla si gomone dhe skafe, nisen çdo ditë nga porti i Vlorës drejt këtyre perlave natyrore të bregdetit shqiptar.
Kjo e diel ka sjellë një numër të lartë vizitorësh, të cilët kanë zgjedhur të eksplorojnë bukuritë e zonës detare. Turistët shprehen të mahnitur nga peizazhet, ujërat e kristalta dhe natyra e paprekur e Karaburunit, ndërsa një interes të veçantë zgjon edhe ishulli i Sazanit, me historinë dhe veçantitë e tij.
“Është një vend shumë i bukur. Deti është i mrekullueshëm dhe natyra fantastike. Ishim shumë kuriozë të vizitonim Sazanin dhe gjiret e Karaburunit”, tha një turist.
“Jam nga Polonia, hera e parë në Shqipëri, kemi një javë këtu. Vend shumë i bukur, Vlora është fantastike. Zgjodhëm Sazanin sepse na pëlqejnë anijet, deti, duam të shikojmë diçka ndryshe”, u shpreh një turiste.
“Kam dëgjuar më parë për Shqipërinë, por nuk kisha pritshmëri. Nuk mendoja që ishte një vend kaq i bukur”, theksoi një tjetër turist.
“Jam nga Republika Dominikane, hera e parë këtu. Ngjan me klimën dominikane këtu. Shumë e ngjashme. Është pak rrëmujë, sidomos natën”, u shpreh një turiste.
“Hera e parë në Shqipëri. Kemi kaluar shumë bukur. Kemi dëgjuar më parë për Sazanin, e njohim nga rasti i Kushner”, tha turistja nga Suedia.
Me sezonin turistik që sapo ka nisur, operatorët turistikë presin që numri i vizitorëve drejt Sazanit dhe Karaburunit të rritet ndjeshëm gjatë javëve dhe muajve në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





