Putin, më jetëgjati në pushtet që nga Stalini. Shefi i Kremlinit: Fitorja e sotme e bën Rusinë më të fortë

Botë | 3 vite më parë

Pas përfundimit të procesit të votimit, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se fitorja e tij në zgjedhjet e sotme do ta bëjë Rusinë më të fortë dhe më efektive.

Duke folur në selia e fushatës, Putin u shpreh se “nga çdo zë, ne po ndërtojmë një vullnet të përbashkët të popullit të Federatës Ruse”.

Ai falënderoi qytetarët që votuan ndërsa ka shprehur “mirënjohje të veçantë për luftëtarët tanë në front” duke iu referuar vijës së parë të luftës në Ukrainë.

“Pavarësisht se sa shumë u përpoqën të na trembin, të shtypin vullnetin tonë, ndërgjegjen tonë, askush nuk ka pasur sukses në histori. Ata dështuan tani dhe do të dështojnë në të ardhmen”, tha Putin.

Zgjedhjet në Rusi nuk janë konsideruar as të lira dhe as të drejta nga homologët e tij ndërkombëtarë.

Ish-udhëheqësi i KGB-së, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1999, do të udhëheqë vendin për një mandat të pestë.

Por rezultatet e mbrëmjes së sotme nuk ishin befasuese, pasi çdo opozitë e besueshme ndaj Vladimir Putin ose i janë burgosur drejtuesit e saj ose kanë vdekur siç ishte rasti i Navalnyt.

Vladimir Putin ka në pushtet që prej 24 vitesh ku tashmë ai do të drejtojë Rusinë edhe për 6 vite të tjera.

Ndërsa shkon drejt mandatit të pestë, ai ka shërbyer 20 vjet si president dhe katër vite si kryeministër, kur ai konsiderohej në krye gjithsesi.

Në moshën 71-vjeçare, ai ka udhëhequr Rusinë më gjatë se çdo sundimtar që nga diktatori sovjetik Josef Stalin, i cili kaloi pothuajse 31 vjet në pushtet.

Kushtetuta e Rusisë u ndryshua në vitin 2020, duke rritur mandatin presidencial nga katër në gjashtë vjet duke i dhënë Putinit një mundësi për të kandiduar përsëri dhe duke anuluar mandatet e tij të mëparshme, transmeton BBC. 

Teorikisht, ai mund të kërkojë një mandat të gjashtë dhe të vazhdojë deri në vitin 2036, gjë që do t’i jepte atij qëndrimin më jetëgjatë në pushtet, madje më jetëgjatë se Katerina e Madhe e shekullit të 18-të.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme