Qeveria shqiptare vijon mbështetjen për diasporën, Spiropali: Tekste falas për mbi 117 mijë nxënës jashtë vendit

Arsim | 12 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka bërë të ditur se për të gjashtin vit radhazi, qeveria shqiptare ka mbështetur mësimin e gjuhës shqipe në diasporë dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit, duke shpërndarë 117,138 tekste falas për nxënësit në shkolla dhe kurse të gjuhës amtare.

Në një status në rrjetet sociale, Spiropali përshëndeti rolin aktiv të Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare, duke vlerësuar veçanërisht angazhimin e modeles së njohur shqiptare, Emina Çunmulaj, si anëtare e këtij këshilli.

“Për të gjashtin vit radhazi, qeveria shqiptare ka mbështetur mësimin e gjuhës shqipe në diasporë dhe në komunitetet shqiptare duke shpërndarë 117,138 tekste falas në total për nxënësit shqiptarë në shkolla dhe kurse të gjuhës amtare.”

Ministrja njoftoi gjithashtu organizimin e një tjetër Samiti të Diasporës, që pritet të mbahet së shpejti, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes shqiptarëve jashtë vendit dhe institucioneve shqiptare.

“Bëhemi gati për një tjetër Samit të suksesshëm të Diasporës, ku do të mirëpresim kontribute që nxisin angazhimin e diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit,” u shpreh Spiropali.

Qeveria shqiptare është e angazhuar për zgjerimin e programit të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, jo vetëm përmes mësuesve të dedikuar, por edhe përmes një aplikacioni të posaçëm që lehtëson mësimin në distancë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme