Qindra mbështetës vizitojnë varrin e Navalnit, kritikut të Putinit, mes masave të sigurisë

Qindra njerëz vijuan të dielën, për të dytë ditë radhazi, të vizitojnë varrin e opozitarit rus, Aleksei Navalni (o. Alexey Navalny).
Një radhë e gjatë qytetarësh me kurora lulesh nëpër duar u shtri përgjatë Varrezave të Borisovskit në Moskë “për t’i dhënë lamtumirën dhe për ngushëllime”, raportoi një grup i pavarur rus që monitoron të drejtat e njeriut në Rusi.
Të dielën, mes qytetarëve ishte edhe Ljudmila (o. Luydmila), nëna e Navalnit, e shoqëruar nga vjehrra e saj.
Mbështetësit e opozitarit të ndjerë të premten i shpërfillën thirrjet se mund të arrestoheshin gjatë funeralit të Navalnit, dy javë pasi ai ndërroi jetë në moshën 47-vjeçare në një qendër burgimi në zonën e Arktikut.
Ditën e funeralit të Navalnit u arrestuan mbi 100 persona në 20 qytete ruse. Edhe të dielën, njoftoi OVD-Info, policët ishin të pranishëm duke kontrolluar dhe duke filmuar pjesëmarrësit, të cilët kalonin mes aparaturave për skanimin e metaleve.

Navalni u rikthye në Rusi në vitin 2021, pasi kaloi disa muaj i sëmurë në Gjermani për shkak të helmimit me gaz nervor Noviçok, sipas autoriteteve gjermane.
Me të shkelur në Rusi ai u arrestua dhe e kaloi jetën pas hekurave për akuza të cilat këmbënguli deri në fund se ishin politike për nga natyra. /CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




