Raftin në Vjosë, një aventurë që sjell turistët në Përmet

Turizëm | 37 minuta më parë

Të pasionuarit pas aventurës e gjejnë Vjosën gjithnjë e më shpesh në listën e tyre të destinacioneve. Ditët e fundit të shtatorit kanë sjellë një interes të shtuar për rafting-un në lumin e fundit të egër të Evropës, duke e kthyer Përmetin në një nga pikat tërheqëse për turistët e huaj. Mes ujërave të lumit dhe peizazhit spektakolar të natyrës përreth, rafting-u ofron një eksperiencë që ndërthur adrenalinën me bukurinë e natyrës. Për shumë prej vizitorëve, kjo nuk është thjesht një aktivitet sportiv, por një mënyrë për ta njohur Shqipërinë nga një tjetër këndvështrim.

“Janë të ardhur nga Franca. Kemi vizituar Sarandën dhe tani mezi pres të përjetoj një eksperiencë të jashtëzakonshme. Ndihem shumë i emocionuar dhe mezi pres të provoj adrenalinën dhe emocionet që të fal ky sport”, u shpreh një turist.

“Është hera e parë që do të provoj rafting. Të them të drejtën, një nga arsyet pse vendosa të vizitoj Shqipërinë ishte pikërisht dëshira për të provuar një eksperiencë të tillë. Disa miq të mi e kishin provuar më parë dhe më treguan për adrenalinën dhe emocionet që të fal ky sport, ndaj edhe ma sugjeruan ta provoj edhe unë”, tha një turiste.

Por pas kësaj aventure që duket e thjeshtë për t’u shijuar, qëndron një punë e rëndësishme për sigurinë

“Pjesa më e madhe e atyre që kërkojnë të bëjnë sportin e raftingut janë të huaj, mbi 90%, do të thoja. Guida duhet të jetë e certifikuar. Kujdesemi për të gjithë njerëzit dhe bëjmë instruktazhin. Ata duhet të kenë patjetër, pasi është e detyrueshme, jelek shpëtimi, helmetë dhe lopatë”, tha operatori i turizmit, Luka Gramo.

Interesi i turistëve për rafting-un në Vjosë vijon edhe në fund të sezonit veror. Një aktivitet që, përtej aventurës, po i shton Përmetit një tjetër mundësi për të tërhequr vizitorë nga vendi dhe bota.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme