Raporti i HRW: Tetë sulme izraelite ndaj grupeve të ndihmës në Gaza që nga tetori

Botë | 3 vite më parë

Forcat izraelite kanë kryer të paktën tetë sulme ndaj autokolonave humanitare dhe objekteve të tyre në Gaza që nga tetori, edhe pasi organizatat e ndihmës u siguruan koordinatat e tyre autoriteteve izraelite. Kështu ka zbuluar raporti i  Human Rights Watch, sipas sw cilit Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nuk lëshuan paralajmërime për organizatat e ndihmës përpara sulmeve, të cilat vranë ose plagosën të paktën 31 persona.

Në një incident, më 1 prill, shtatë punonjës të ndihmave u vranë në sulmet me dron në qytetin e Deir al-Balah. Raketat goditën një kolonë prej tre automjetesh World Central Kitchen (WCK), dy të shënuara me logon e organizatës dhe të gjitha transportonin civilë. HRW tha se karvani “po udhëtonte në një rrugë për të cilën organizata tha se kishin rënë dakord me ushtrinë izraelite”.

Më 9 dhjetor, marina izraelite gjuajti me top 20 mm në një bujtinë Unrwa të përbërë nga dy ndërtesa në Rafah, i tha HRW agjencia e ndihmës e OKB-së.

Në një incident të tretë, më 8 janar, një predhë izraelite shpoi anën e një ndërtese në të cilën më shumë se 100 staf të Médecins Sans Frontières (MSF) dhe familjet e tyre ishin strehuar në Khan Younis. Vajza pesë vjeçare e një punonjësi të MSF-së u vra dhe katër persona u plagosën.

HRW tha se MSF i kishte thënë se stafi i saj nuk kishte parë objektiva ushtarakë në zonë dhe nuk kishte marrë asnjë paralajmërim për sulmin.

HRW detajoi pesë sulme të tjera: në një kolonë të MSF-së më 18 nëntor, një bujtinë për punëtorët nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit dhe Ndihma Mjekësore për Palestinën më 18 janar, një kolonë Unrwa më 5 shkurt, një bujtinë e MSF-së më 20 shkurt dhe një shtëpi strehimi i një punonjësi të Ndihmës Amerikane për Refugjatët e Lindjes së Afërt më 8 mars.

OKB-ja ka raportuar se 254 punonjës të saj të ndihmës janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori. Personeli i Unrwa llogaritet për 188 nga këto viktima. Sipas Unrwa , 169 objekte të saj janë prekur nga armiqësitë dhe të paktën 429 njerëz të zhvendosur janë vrarë në strehimoret e saj.

“Këto sulme kanë një efekt rrëqethës në përpjekjet për të ofruar ndihmë shpëtimtare në Gaza,” përfundon raporti i HRW.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme