“Receta e unifikuar shmang abuzimet”, Urdhri i Mjekut: Parandalon “lidhjet” mjek-farmacist
Receta e re mjekësore, që ka vetëm katër ditë nga hyrja në fuqi, ka detyruar mjekët që të shkruajnë edhe emrin gjenerik të ilaçit për të shmangur kështu abuzimet e mundshme nga ana e farmacistëve.
Kjo risi, sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepçe, parandalon influencat që mjekët mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike gjatë ekzekutimit të recetave.
“Mos harrojmë se nga koha e kovidit është vënë re një lëshim recetash nga firmat farmaceutike, blloqet e recetave me emrat tregtarë të ilaçeve, gjë që lind përshtypjen ose një dyshim të arsyeshëm për bashkëpunimin mjek-farmacist. Miratimi i këtij formati e shmang këtë lloj dyshimi dhe e vë në shinat më të rregullta lëshimin e medikamenteve drejt farmacive, dhe ekzekutimin e ilaçeve”, deklaroi Trepçe.
Të pyetur jashtë kamerës, farmacistët pohojnë se emri tregtar i barit vijon të përshkruhet nga mjekët duke u vendosur në kllapa për t’i orientuar ata, por gjithsesi farmacistët nuk janë të detyruar t’i respektojnë zgjedhjet e tyre.
“Farmacistët do të penalizohen nëse do të kapen në shkelje të këtij urdhri dhe këtij formati”, tha ai.
Receta e re ka lehtësuar shumë daljet e të sëmurëve kronikë, të cilëve tanimë procedura u thjeshtohet.
“Me këtë lloj recete një i sëmurë kronik ka të drejtë që të marrë mjekimin deri në 6 muaj pa u paraqitur te mjeku”, shtoi Trepçe.
Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara, farmacisti do të duhet të shënojë ilaçet që i ka dhënë pacientëve, sasinë e marrë dhe datën, duke e firmosur dhe vulosur.
Me dokumentin e ri pacienti mund të marrë ilaçin e munguar në një farmaci tjetër. Farmacia duhet të mbajë një kopje të kësaj recete. Asnjë bar i cili është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Barnave nuk mund të jepet pa recetë nga farmacistët.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




