Reforma në AKU, nis rivlerësimi i 275 inspektorëve përpara sfidës së integrimit në BE

Bujqësi | 1 vit më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur fazën e dytë të rivlerësimit të burimeve njerëzore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), një proces thelbësor për reformën e institucionit. Në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), 275 inspektorë të AKU-së po i nënshtrohen testimeve dhe intervistave individuale, të cilat do të vijojnë deri më 5 shtator.

Ministrja Anila Denaj theksoi se ky rivlerësim është një hap i domosdoshëm drejt krijimit të Inspektoratit Qendror, i cili synon të forcojë sigurinë ushqimore në vend, në kuadër të sfidës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Ky proces do të ndajë në mënyrë të arsyeshme kush i plotëson dhe kush jo kriteret e qëndrimit në detyrë,” u shpreh ajo.

Procesi i rivlerësimit po kryhet nga një komision i posaçëm, i përbërë nga tre profesorë të UBT-së dhe dy përfaqësues të ministrisë. Qëllimi është vlerësimi i thelluar i cilësisë së personelit, përshtatshmërisë me profilin e punës, vlerësimi i performancës në vite dhe përgatitja akademike.

Një prej pedagogëve të UBT-së, Ilir Kristo, shpjegoi se testi bazohet në ligjet kryesore të sektorit, si ai i Inspektoratit, ligji i Ushqimit dhe ligji i Mbrojtjes së Bimëve, duke siguruar një vlerësim sa më të thellë dhe të pavarur.

Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, duke garantuar se universiteti ka angazhuar njerëz me integritet dhe profesionalizëm të lartë në këtë proces.

Rivlerësimi i stafit të AKU-së është një pjesë thelbësore e reformës institucionale, me synim krijimin e një institucioni qendror që do të bashkojë tre institucione brenda Ministrisë, duke garantuar një staf të kualifikuar dhe një shërbim më të mirë për sigurinë ushqimore dhe bizneset.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme