Reformë në testimet kombëtare, Kumbaro: Agjencia e re me standarde ndërkombëtare, kapitulli 26 drejt mbylljes

Arsim | 6 muaj më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në fjalën e mbajtur në konfeencën për media, deklaroi se po vijon puna për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një institucion që do të reformohet me një sistem të ri, transparent, meritokratik dhe të besueshëm për administrimin dhe zhvillimin e testimeve në vend.

Ministrja bëri me dije se së fundmi është zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, me mbështetjen e të cilit po punohet për reformimin e këtij institucioni sipas standardeve dhe ekspertizës më të mirë ndërkombëtare. Në këtë proces është përfshirë edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili kontribuon me ekspertizë teknike dhe mbështetje financiare.

“Kemi miratuar në Qeveri ligjin që e kthen në një Agjenci Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ndërsa sapo jemi kthyer nga një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, me mbështetjen e të cilit po punojmë për ta reformuar sipas standardeve dhe ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, së bashku me partnerët e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, që ndihmojnë me ekspertizë teknike dhe financiare. Bëhet fjalë për provimet e maturës shtetërore, provimet e profesioneve të rregulluara, por edhe testet ndërkombëtare si PIRLS apo TIMS. Agjencia e re e Shërbimeve Arsimore do të përfitojë nga Universiteti i Kembrixhit në 6 fusha, si forcimi i sistemit, transformimi digjital, rritja e cilësisë dhe transparencës, trajnimi i stafit, qëndrueshmëria financiare dhe planifikimi strategjik”, tha Kumbaro.

Sipas Ministres Kumbaro, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore përbën edhe piketën përmbyllëse të kapitullit 26, të dedikuar arsimit. Me miratimin e këtij ligji, ky kapitull konsiderohet i përfunduar.

Më tej, Kumbaro vuri theksin dhe te puna mbi dy kapitujt e arsimit në përmbushjen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Dua ta nis nga ky i dyti, pra kapitulli 26 – ku pothuajse kemi përmbushur të gjitha piketat. Konkretisht, është krijuar tashmë me Vendim të Këshillit të Ministrave. Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar. Kemi Planin e Veprimit për Arsimin Dixhital 2025-2030, ku edhe përmes kronikave televizive ju keni pasur një rol shumë të rëndësishëm në dhënien e këtij informacioni. Është lançuar Baza Shtetërore e të Dhënave të Arsimit të Lartë (SMIAL), e cila është një bazë të dhënash që përdoret prej korrikut të vitit 2025, që gjurmon aktivitetin studimor online nga notat, te klasifikimet.  Kemi planin e veprimit për arsimin e lartë dhe planin e integritetit. Dhe gjithashtu, kemi miratuar në Qeveri ligjin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, dhe me miratimin e ligjit edhe në Parlament, plotësojmë 100% piketat përmbyllëse në raport me procesin e integrimit“, deklaroi ministrja.

Për sa i përket kapitullit 25, ministrja Kumbaro tha se puna është drejt avancimit të plotë.

“Janë miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Kërkimin Shkencor. Po rrisim gradualisht buxhetin dedikuar kërkimit shkencor. Paketa e akteve nënligjore është mbyllur, i cili ka kaluar në 0,3% të PBD dhe na kërkohet që në vitin 2030 të shkojë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është miratuar plani i veprimit për tabelën evropiane të inovacionit. Kemi ndër të tjera dhe platformën ACRIS, regjistrin e kualifikimeve shkencore”, tha ministrja.

Puna për përmbushjen e kapitujve 25-26 vazhdon sipas kalendarit, si pjesë e grupkapitullit 3 të negociatiave me BE.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme