Regjistrime të larta në shkollat profesionale, të rinjtë zgjedhin drejtimet teknologjike, mes tyre edhe nxënës me nevoja të veçanta
Shkollat profesionale vijojnë të mbeten preferencë e të rinjve, të cilët çdo vit e më shumë zanatin po e shohin si një perspektivë të së ardhmes.
Ndërsa ndalet tek programet më të përzgjedhura në këtë fillim viti të ri shkollor, Ornela Lala, drejtoreshë e Shkollës së Mesme Profesionale në Kamzë, thotë se procesi nisi me një bum regjistrimesh.
“Aktualisht kemi dikur 450 nxënës të regjistruar në klasën e 10, por pritshmëritë tona janë diku deri në 500 deri në përfundim të regjistrimeve më 30 shtator. Zgjidhen kryesisht drejtimet si teknologji-informacioni, elektroteknikë dhe shërbime mjetesh transporti, ku kërkesat kanë qenë mbi kapacitete e shkollës. Në këto tre sektorë tregu është shumë i “etur” për punonjës”, u shpreh Lala.
Gjithëpërfshirja kërkon edhe më shumë mësues ndihmës, për shkak të rritjes së numrit të nxënësve me nevoja të veçanta që kërkojnë frekuentimin e kësaj shkolle.
“Kemi 7 nxënës të regjistruar në vitin e parë me aftësi ndryshe, dhe kryesisht preferojnë drejtime si teknologji – informacion dhe telekomunikimit, ku është edhe i lehtë për fizikun e tyre si profesion dhe i lehtë për t’u përthithur për shkak të lidhjes së madhe së rinia e sotme ka me teknologjinë. Të gjithë mësuesit ndihmës që janë të punësuar këtu po punojmë mbi kapacitetet deri në momentin që ne do të plotësohemi me të gjitha vendet vakante që kemi”, tha ajo.
Një vit më parë kjo shkollë profesionale pilotoi profilin kuzhinë dual për përfitimet e së cilës flasin vetë nxënësit.
“Unë bëra praktikë dhe isha 2 ditë në shkollë dhe 3 ditë në praktikë, kundrejt një pagese. Kjo dhe të motivonte por edhe të lejonte të njihje më mirë punën”.
“Bëra praktikën në vitin e 3 dhe ia ka vlejtur shumë si eksperiencë. E shoh veten si një shef kuzhine shumë të mirë”, thanë disa nga nxënësit.
Ndërkohë janë shtuar dy kualifikime të tjera, ai i shërbimeve elektro-auto në drejtimin mësimor Shërbime Mjetesh Transporti si dhe menaxhimi i strukturave akomoduese dual, programe pas të mesmes.
Gazetare: E. Lamja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





