Rishikimi i teksteve shkollore, Rrokaj: Nevojitet pasurimi i teksteve me informacion të përditësuar

Arsim | 10 muaj më parë

Tekstet shkollore të përkthyera nga gjuha angleze jo në pak raste krijojnë probleme në të kuptuarin e koncepteve nga nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar.

Profesori Shezai Rrokaj, në një intervistë për RTSH-në, ka sqaruar se tashmë ka ardhur koha për rishikimin e të gjitha teksteve shkollore, me qëllim pasurimin e tyre me informacion të përditësuar dhe jo të lodhshëm për fëmijët.

“Ka nevojë të jashtëzakonshme për t’i lehtësuar tekstet, për t’i përditësuar me informacion shtesë dhe për të shmangur sa të jetë e mundur përsëritjen e vazhdueshme për nxënësit. Kjo do t’i lehtësonte ata në mënyrë që ajo që flitet shpeshherë në pedagogji, të mësuarit mekanik t’ia lërë vendin atij që quhet të mësuarit aktiv, të komunikuarit, dhe kjo gjë bëhet duke u lënë pak kohë fëmijëve të mendojnë me mendjen e tyre e duke mos ua marrë të gjithë kohën për të menduar me mendjen e mësuesit”, tha profesor Rrokaj.

Rrokaj e përqafon praktikën e huazimit të teksteve nga Perëndimi, por sipas tij ajo duhet të jetë e unifikuar për të gjitha klasat:

“U përshtatën tekstet në fushën e shkencës së natyrës, sidomos matematika, nga disa tekste të huaja, por ndërkohë një cikël shkollor u përkthyen tekstet, cikli i mëparshëm ishte me sistemin tonë. Ato duhen bërë i gjithë seti nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”, nënvizon profesori.

Ministria e Arsimit ka nisur punën për rishkrimin e teksteve shkollore si nevojë e domosdoshme e zhvillimeve të kohës.

Në librat shkollorë po shihet mundësia të ndryshohen tematika që janë të vjetëruara, ushtrimet ku janë hasur më shumë vështirësi nga nxënësit e mësuesit, si dhe të eliminohen përsëritjet e shumta.

Parashikohet që vitin e ardhshëm të përditësohen disa tekste shkollore të klasës së parë, të gjashtë dhe të dhjetë.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme