Rriten aplikimet për kërkim shkencor, 110 projekte të financuara dhe 70 artikuj të publikuar në revista shkencore

Arsim | 2 muaj më parë

 Kërkimi shkencor është një mundësi për të realizuar projekte duke i ardhur në ndihmë shoqërisë në zgjidhjen e problemeve, si dhe në zbulimin e dijeve apo krijimeve të reja. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Daniela Pirushi, në një intervistë për RTSH ka sqaruar se kërkimi shkencor në vitet e fundit ka pësuar rritje. Kjo konstatohet jo vetëm në rritjen e numrit të aplikimeve dhe të projekteve të financuara, por edhe në rritjen e cilësisë së tyre.

“Kemi pasur një numër në rritje të aplikimeve, si edhe një rritje të numrit të projektpropozimeve të suksesshme. Në total janë paraqitur 240 projektpropozime, nga të cilat 46% janë shpallur fituese dhe janë mbështetur me financim këtë vit, në kuadër të tri programeve kryesore: programit të infrastrukturës, programit të projekteve për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjisë, si dhe programit të projekteve të teknologjisë së informacionit”, u shpreh Pirushi.

Një kriter i rëndësishëm i kërkimit shkencor është edhe publikimi i rezultateve të projekteve në revista shkencore prestigjioze.

“Çfarëdo produkti ose çfarëdo financimi në kuadër të programeve kombëtare, të mbështetura nga buxheti i shtetit shqiptar, duhet të ketë si rezultat përfundimtar prodhimin e një kërkimi shkencor. Deri më tani numërojmë 70 artikuj shkencorë të botuar në revista ndërkombëtare me faktor të lartë impakti, të cilët janë rezultat i investimeve të realizuara gjatë periudhës 2022–2024. Çdo përfundim viti dhe çdo program sjell rezultate të reja dhe numra në rritje. Për vitin 2024 flasim për 70 artikuj shkencorë, ndërsa presim edhe publikimet që do të dalin nga projektet e zhvilluara gjatë periudhës 2023–2026. Aktualisht kemi përmbyllur jo më pak se 110 projekte, siç e përmendëm edhe më lart”, tha ajo.

Cilësia e produkteve shkencore vijon të mbetet një sfidë e rëndësishme, duke u lidhur kryesisht me nivelin e konkurrencës në aplikime. Rritja e kërkesës për aplikim në projekte gjatë viteve të fundit ka treguar se është rritur ndjeshëm edhe cilësia e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme