Rritet interesi i të rinjve, Universiteti i Sporteve mbyll konkurset e pranimit

Arsim | 1 vit më parë

Këtë të enjte u mbyll gara e konkurseve të pranimit të maturanteve në dy fakultetet kryesore të Universitetit të Sporteve të Tiranës (UST): Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes dhe Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit.

Vlerësimi i kandidatëve është bërë mbi bazën e konkurrimit praktik, i cili zë 70% të pikëve, dhe mesatares së shkollës së mesme me 30%.

Rektori i Universitetit të Sporteve, Prof. Dr. Agron Kasa, tha për mikrofonin e RTSH se interesimi i studentëve për degët e universitetit ka qenë i lartë dhe se çdo vit kuotat janë plotësuar, pa njohur krizë regjistrimesh.

“Kemi një rritje rreth 37% të studentëve që kanë konkurruar. Universiteti i Sportit vazhdon akoma të jetë në preferencat e studentëve që vijnë nga shkollat e mesme për herë të parë në universitet,” thotë z. Kasa.

Degët më të kërkuara në Universitetin e Sporteve mbeten “Mësues për Edukimin Fizik” dhe “Rekreacioni”, i cili përgatit guida turistike dhe trajnerë fitnesi.

“Studentët, kandidatët e rinj, janë bërë të mençur. E para, ata shkojnë në ato degë ku vendi i punës është thuajse i garantuar; dhe e dyta, është më i paguar,” shton z. Kasa.

Rektori theksoi gjithashtu se miti se Universiteti i Sporteve është vetëm për meshkuj është rrëzuar prej vitesh, pasi gjithnjë e më shumë vajza po konkurrojnë dhe regjistrohen në programet e ndryshme.

“Kemi pasur çdo vit një numër shumë të madh të vajzave dhe kjo na ka lumturuar tejmase,” shprehet rektori i UST-së.

Për vitin akademik 2025–2026, kuotat e studimit në ciklin Bachelor janë:

  • Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes – 195 kuota, për programin “Shkencat e Lëvizjes”
  • Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit – 195 kuota, për programin “Fushat e Veprimtarisë Fizike, Shëndetit dhe të Rekreacionit”
  • Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit – 130 kuota, për programin “Shkenca të Rehabilitimit”

Me përfundimin e konkurseve, Universiteti i Sporteve të Tiranës pritet të shpallë fituesit, duke ruajtur traditën e plotësimit të kuotave dhe interesit të lartë për studimet në fushën e sportit dhe shëndetit.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme