Rritje e arsimit profesional në Lezhë, të rinjtë zgjedhin Turizmin dhe Teknologjinë e Informacionit
Nevoja për punëtorë të kualifikuar po shtyn gjithnjë e më shumë të rinjtë në Lezhë të zgjedhin shkollimin profesional. Vetëm këtë vit, në shkollën “Kolin Gjoka” janë regjistruar mbi 100 nxënës të rinj, ku më të preferuarat janë degët Ekonomi–Turizëm dhe Teknologji Informacioni e Komunikimi.
“Gjithçka do të jetë gati në ditën e parë. Regjistrimet kanë filluar dhe mbyllen më 30 shtator. Degët prioritare, si çdo vit, edhe këtë vit janë TIK dhe Hoteleri-Turizëm, por nuk ngelet pas as Ekonomi Biznesi, Shërbimi social shëndetësor dhe Teknologjia ushqimore”, thotë Bardh Dedgjonaj, Drejtor i shkollës “Kolin Gjoka”.
Drejtori Bardh Dedgjonaj thotë se kërkesa e tregut është më e madhe se numri i atyre që diplomohen, çka u siguron nxënësve punësim të shpejtë dhe shpesh i kthen ata si trajnerë për bizneset.
“Nxënësit shkojnë në biznese në vitin e tretë, tre ditë në javë dhe punësohen dhe paguhen sipas ligjit. Po dhe nxënës të drejtimeve të klasave më të ulëta janë të punësuar gjatë ditëve të praktikës dhe pas dreke. Dhe më e rëndësishme, profesioni që marrin që do t’i shërbejë për veten e tyre, familjes dhe shoqërinë”, thekson ai.
Shkolla “Kolin Gjoka” numëron rreth 450 nxënës, ndërsa çdo vit diplomohen deri në 150 prej tyre. Ky trend tregon qartë orientimin e të rinjve drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme në tregun e punës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





