Rusia dhe Koreja e Veriut firmosin paktin për mbrojtjen e përbashkët

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Xhong Un (o. Jong Un) nënshkruan të mërkurën një pakt, që parashikon edhe bashkëpunimin nëse njëri vend sulmohet.
Dokumenti u firmos në Phenian, ku presidenti Putin u prit me ceremoni nga aleati i tij, ndërsa rrugët për në qytet ishin dekoruar me flamujt rusë dhe portretet e presidentit. Kjo është vizita e tij e parë në Korenë e Veriut në 24 vjet.
“Marrëveshja për partneritet të gjithanshëm që firmosën sot, ndër të tjera, na mundëson të ndihmojmë njëri-tjetrin në rast agresioni kundër njërës palë. Federata Ruse nuk përjashton mundësinë e një bashkëpunimi ushtarako-teknik me Republikën Popullore të Koresë nisur nga traktati që firmosëm sot,” u shpreh presidenti Putin.

Shtetet perëndimore druhen se marrëveshja nënkupton që dy vendet aziatike do të bashkojnë forcat në luftën kundër Ukrainës. Para fillimit të bisedimeve, z. Putin falënderoi z. Kim për mbështetjen që i ka ofruar në luftë, duke e cilësuar atë si pjesë të “luftës më të gjerë kundër politikave hegjemoniste imperialiste të SHBA-së dhe satelitëve të vet kundër Federatës Ruse.”

“Koreja e Veriut po e furnizon me mjaft municione Rusinë, si edhe me armë të tjera për t’u përdorur në Ukrainë. Irani ka siguruar armë, përfshirë dronë, që janë përdorur kundër civilëve dhe infrastrukturës,” deklaroi nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken.
Nga ana e tij, Kim e quajti paktin “traktatin më të fortë” të firmosur mes dy shteteve, që i ngre raportet e tyre në “nivelin e lartë të aleancës”. Në një artikull të botuar në gazetën zyrtare ai premtoi “zhvillimin e mekanizmave alternativë tregtarë të pakontrolluar nga Perëndimi” dhe “ndërtimin e një arkitekture të barabartë dhe të pandashme në Eurazi”.

Dy liderët shkëmbyen dhurata me njëri-tjetrin: për z. Kim një limuzinë ruse Aurus dhe një set çaji, ndërsa për presidentin Putin sende që lidheshin me imazhin e tij, si edhe “buste”. /Reuters, Guardian
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




