Sahati i Shkodrës, bashkia punon për ta bërë funksional në të njëjtin vend

Kuriozitete | 3 vite më parë

Shkodra shumë shpejt do të ketë sërish sahatin e saj, që drejtuesi i kësaj bashkie, Benet Beci, e ka quajtur një thesar.

Falë qytetarisë së familjes Kurraj dhe zonjës Suzana është ruajtur mekanizmi mbi 120-vjeçar i tij, që do të bëhet edhe pjesë e fondit të Muzeut të qytetit.

“Është ndër objektet e rralla në Shqipëri. Shumë nga këta mekanizma janë zhdukur në periudhën e tranzicionit dhe ky duhet të jetë ndër të vetmit,” thotë skulptori dhe restauratori Petrit Bilali.

Restauratori Bilali bëri pastrimin e mekanizmit të tij, ndërsa me ndihmën e orëndreqësit Besnik Sahatçia dhe mirëmbajtësit Ermir Dibra po punohet për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.

“Shyqyr që është bërë realitet dhe po vihet në punë. Do duhet një fije kohë, por ka rëndësi që ora të punojë me saktësi siç ka punuar më parë,” thotë orëndreqësi Sahatçia.

“Është një kënaqësi e veçantë t’i shërbej edhe një herë pas do viteve qytetit të Shkodrës për mirëmbajtjen e orës së këtij qyteti,” shprehet mirëmbajtësi i Sahatit të Kullës, Dibra.

“Nuk dua gjë tjetër vetëm atë sahat, se kur shikoja atëherë që kalonin njerëzit dhe kthenin kokën mua sikur më pikonte,” thotë znj. Kurraj.

Sahati është pjesë e identiteti të metropolit të veriut. Ai ndodhet në lagjen “Rus i vogël”, e cila nga vendasit njihet edhe si lagjja e sahatit, e tashmë kjo nuk do të jetë vetëm në kujtesën e më të vjetërve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme