Saranda me fluks turistësh në shtator, vizitorët vazhdojnë të frekuentojnë bregdetin
Edhe pse sot është dita e fundit e shtatorit, shëtitorja e Sarandës mbetet e mbushur me vizitorë vendas dhe të huaj. Në orët e paradites , lëvizjet janë të shumta, ndërsa familje, çifte dhe grupe turistësh shëtisin përgjatë vijës bregdetare.
“Ne po qëndrojmë këtu për rreth dhjetë ditë dhe kemi zgjedhur Sarandën sepse është një vend i bukur dhe njerëzit këtu janë shumë të mirë dhe, mikpritës, të ngrohtë. Edhe moti është i mirë, kështu që është një vend i këndshëm. Është hera ime e parë këtu me shokët e mi. Për sa i përket ushqimit, mendoj se mund të ngjajë me ushqimin në vendin tim, sepse kemi disa ushqime të lehta dhe është shumë i mirë. Nuk është shumë i shtrenjtë, çmimet janë të arsyeshme dhe cilësia është shumë e mirë. Saranda është një vend i mirë. Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Kur erdha këtu, nuk e prisja që njerëzit të ishin kaq të mirë me mua, por në fund më pëlqyen shumë njerëzit këtu.”, u shpreh një turist.
“Saranda është një vend i bukur. Plazhet janë shumë të mira. Njerëzit janë mikpritës me ne, na bëjnë të ndihemi si miq. Është shumë mirë, na pëlqen. Unë jam nga Belgjika dhe është hera ime e parë këtu. Dielli, moti, na pëlqejnë shumë.”, tha një tjetër.
Edhe në fund të sezonit, fluksi i lëvizjeve nuk ka pësuar rënie të ndjeshme. Vizitorët frekuentojnë lokalet, shëtitoren dhe hapësirat publike. Temperaturat e favorshme dhe qetësia që sjell shtatori e bëjnë këtë periudhë tërheqëse për pushuesit, krahasuar me ngarkesën e muajve të verës.
“E dua jetën këtu, sinqerisht. Saranda është një nga qytetet më të bukura që kam parë ndonjëherë në botë. Plazhet janë shumë të bukura dhe edhe malet janë fantastike, më pëlqen shumë gjithçka këtu. Njerëzit janë shumë të mirë dhe mikpritës.”, tha një tjetër turist.
Prania e vizitorëve deri në ditët e fundit të shtatorit tregon se Saranda vijon të mbetet e gjallë edhe pas kulmit të sezonit veror. Shëtitorja dhe hapësirat buzë detit vazhdojnë të tërheqin pushues, duke e shndërruar qytetin në një destinacion aktiv edhe në këtë periudhë kalimtare mes verës dhe vjeshtës.
Gazetare: B.Gjyli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





