Scholz: Operacionet ushtarake izraelite në Rafah mund të hedhin në “erë” përpjekjet për paqe

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar se viktimat nga ofensiva ushtarake e Izraelit në Rafah mund të pengojnë përpjekjet për të arritur një marrveshje për paqe.
Duke folur në Akaba të Jordanisë, Scholz ka theksuar se “një numër i madh viktimash në një ofensivë të tillë do ta bënte shumë të vështirë çdo zhvillim paqësor në rajon”.
Scholz i bëri komentet gjatë një udhëtimi në rajon ku fillimisht u takua me Mbretin Abdullah II të Jordanisë në Akaba dhe më pas u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Jerusalem.
Duke folur së bashku me Netanjahun, Scholz pyeti nëse ka mënyra të tjera që Izraeli të arrijë qëllimin e tij për të zhdukur Hamasin.
“Pavarësisht se sa i rëndësishëm është qëllimi, a mund të justifikojë kosto kaq tmerrësisht të larta? Apo ka mënyra të tjera për të arritur qëllimin tuaj?” pyeti Scholz.
Nga ana e tij, Netanjahu tha se s’mund të ketë “të ardhme për Gazën dhe as paqe nëse nuk zhduket Hamasi”
Izraeli ka thënë vazhdimisht se duhet të nisë operacione ushtarake në Rafah për të çrrënjosur pjesën e mbetur të forcave të Hamasit.
Qëndrimi i kancelarit gjerman vjen disa ditë pasi Netanjahu bëri të ditur se kishte dhënë aprovimin e planit për evakuimin masiv dhe operacionin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Rafah.
Deri më tani vlerësohet se ka rreth 1.4 milionë njerëz në qytetin jugor të Gazës, shumë prej të cilëve tashmë janë zhvendosur disa herë nga pjesë të tjera të enklavës.
Ndërkaq, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe agjencive të tjera të ndihmës kanë ngritur alarmin për një inkursion të mundshëm në Rafah, duke thënë se palestinezët që strehohen atje s’kanë ku të lëvizin, transmeton CNN.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare banorët e Gazës, të cilët filluan të evakuohen mbetën të vrarë nga sulmet izraelite në zonat e konsideruara të sigurta nga IDF.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




