SHBA paralajmëron Turqinë: Mos streho liderët e Hamasit

SHBA ka paralajmëruar Turqinë që të mos presë liderët e Hamasit. Referuar një diplomati arab bëhet e ditur se zyrtarët e lartë të grupit terrorist me bazë në Doha u larguan javën e kaluar në Ankara.
Ankaraja nuk e ka mohuar që zyrtarët e Hamasit janë tani në Turqi, por ka këmbëngulur se nuk po hap zyra për ta.
Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Katarit që të largojë liderët e Hamasit, duke argumentuar se grupi terrorist ka refuzuar të angazhohet në mënyrë thelbësore në negociata për muaj të tërë. Katari e ka mohuar marrjen e këtij hapi për shkak të presionit të SHBA-së, por ka pranuar se ka ndërprerë rolin e tij ndërmjetësues.
I pyetur gjatë një konference shtypi në lidhje me raportimin e mediave izraelite mbi transferimin e zyrtarëve të Hamasit në Turqi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller thotë se Uashingtoni nuk “beson se udhëheqësit e një organizate terroriste duhet të jetojnë të qetë kudo”, duke përfshirë aleatët e NATO-s si Turqia.
Miller vëren se disa zyrtarë të Hamasit, si Khaled Meshaal, janë nën padi nga SHBA dhe duhet t’i dorëzohen Shteteve të Bashkuara.
“Ne do t’ia bëjmë të qartë qeverisë së Turqisë, siç ia kemi bërë të qartë çdo vendi në botë, se nuk mund të ketë më punë si zakonisht me Hamasin,” shton ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



