Shkodra me rritje të turizmit urban, prefektura dhe institucionet vendore plan masash për sezonin

Aktualitet | 3 muaj më parë

Në prag të sezonit turistik veror, institucioni I Prefektit njëherësh drejtues I task forcës në qarkun e Shkodrës kanë ndërmarrë një sërë masash për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e fluksit të vizitorëve.

Prefektja e qarkut Holta Duda bën me dije se është realizuar një koordinim me të gjitha institucionet përgjegjëse, në veçanti me Policinë e Shtetit, për të menaxhuar trafikun dhe për të rritur sigurinë në zonat më të frekuentuara turistike.

“Kemi koordinuar me të gjithë institucionet të cilat janë pjesë përbërëse integrale pra e taskforcës së ngritur në nivel qarku. Kemi rakorduar pik së pari me Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, me Drejtorinë e Doganave dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të marrë masat e nevojshme, për të përballuar hyrjet, në pikat doganore të cilat mendohet që do të kenë një fluks të rritur në ditët në vazhdim”, tha ajo.

Sipas saj, këtë vit vihet re një shtim i ndjeshëm i turizmit urban, ku qyteti i Shkodrës po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, falë ofertës kulturore, historike dhe aktiviteteve të shumta që organizohen gjatë sezonit veror.

“Duhet theksuar fakti që në qarkun Shkodër është edhe turizmi në zonat urbane ose në historike apo muzeale të të bashkive të gjitha bashkive të këtij qarku”, tha Holta.

Ndërkohë, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe zonës bregdetare të Velipojës, ku për këtë sezon janë vendosur në funksion një stacion policor, shërbimi shëndetësor si dhe ai zjarrfikës, me qëllim përballimin e çdo situate dhe garantimin e pushimeve të sigurta për turistët.

Autoritetet theksojnë se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgatitjet e kryera synojnë të ofrojnë një sezon turistik sa më të qetë dhe të suksesshëm për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shkodrën si destinacion.

Gazetare: M. Gjoni  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme