Shkolla Verore “Jam Shqiptar”, 20 nxënës nga shkollat shqipe në Zvicër vizitojnë Shkodrën
Një grup prej 20 nxënësish të shkollave shqipe në Zvicër, të shoqëruar nga mësuesit e tyre, kanë mbërritur në Shkodër në kuadër të një udhëtimi kulturor që po zhvillojnë në disa qytete të Shqipërisë.
Ky tur është pjesë e programit Shkolla Verore “Jam Shqiptar”, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Diasporës në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën.
Ndalesa e parë grupi në Shkodër ishte Muzeu i Fototekës Kombëtare “Marubi”, për të vijuar në destinacionet e tjera historike dhe kulturore të qytetit.
Për nxënësit, kjo është një përvojë e veçantë që u jep mundësinë të prekin nga afër atë çka mësojnë në shkollat shqipe në Zvicër, gjuhën, historinë dhe traditat e vendit të tyre të origjinës.
“Është e para herë që vij këtu në Shkodër dhe shumë më pëlqen. Ka plot histori këtu dhe e kam dashur këtë muzeun që ta shoh ndonjëherë. Tani u bë e mundur,” thotë Anisa, një nga nxënëset e shkollës verore.
“Vij nga Zvicra. Jam lindur e rritur aty. Gjuhën e kam mësuar në shtëpi, ama edhe shkolla, që 9 vite, më ka ndihmuar shumë për ta mësuar më mirë, për historinë dhe gramatikën,” thotë Klea, një tjetër nxënës e shkollës verore.
Mësuesit e shoqërues e konsiderojnë këtë shkollë verore një formë shumë efikase për të forcuar lidhjet kulturore e identitare të fëmijëve me rrënjët e tyre.
“Qëllimi është që të marrim fëmijët, të cilët jetojnë, janë të lindur e rritur jashtë, në mënyrë që të vijnë dhe të mësojnë gjuhën shqipe në formën më të bukur. Përveç mësimit që bëjnë nga ana teorike në vendet e tyre mikpritëse, ta mësojnë në atdhe, në Shqipëri,” tregon Anita Durici, mësuese e Gjuhës Shqipe në Zvicër.
“Ne kemi dëshirë që në të ardhmen këta fëmijë ta përcjellin gjuhën shqipe te brezat e rinj, të mos shuhemi, sepse natyrisht në diasporë jemi të gjithë të rrezikuar për ta humbur identitetin tonë, gjuhën, kulturën tonë,” thotë Isuf Ismali, mësues i Gjuhës Shqipe në Zvicër.
Shkolla Verore “Jam Shqiptar” zhvillohet për të tretin vit radhazi dhe ka në fokus nxënësit e shkollave shqipe në vendet evropiane, aty ku ndodhen komunitetet më të mëdha të diasporës shqiptare.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





